Shqipëria rikthehet në fushë pas festës së kualifikimit në Euro 2024. Kuqezinjtë zbarkuan në Rinas rreth orës 01:30 të ditës së sotme, ndërkohë që aktualisht kanë zbritur në fushë për të kryer seancën e radhës stërvitore.

Pasi të hënën do të zhvillohet ndeshja e fundit e fazës së grupeve kundër Ishujve Faroe në “Air Albania” (20:45). Në një lidhje direkte me SportNews nga “Shtëpia e Futbollit, gazetari Rinald Bregasi, raportoi situatën në kampin e ekipit kombëtar.

Programi stërvitor nuk ka ndryshuar, shenjë kjo e kulturës së punës dhe rigorozitetit të Sylvinhos dhe stafit të tij teknik. Në fushë kanë zbritur ata që kanë luajtur pak dhe lojtarët e stolit. Teksa titullarët e duelit në Kishinjev janë duke u stërvitur në palestër.

Bregasi thekson se lajmi i mirë është fakti që nuk ka lojtarë të lënduar nga ndeshja me Moldavinë. Dhe të gjithë janë në gjendje optimale.

Ndërkohë, festa e madhe është rezervuar pas ndeshjes me Ishujt Faroe, me FSHF-në që po përgatitet për çdo detaj.