Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u nis sot për një vizitë zyrtare në Romë, në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve juridiksionale Shqipëri – Itali në sistemin e drejtësisë.
Gjatë vizitës zyrtare dy ditore, Ministri Manja, do të zhvillojë takime të nivelit të lartë politik të shtetit italian dhe të sistemit gjyqësor.
Në kuadër të fuqizimit të Drejtorisë tonë Antikorrupsion do të nënshkruhet një “Marrëveshje Mirëkuptimi” me Agjencinë Kombëtare Italiane Antikorrupsion, që do të shërbejë në forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke sjellë praktikat më të mira nga vendi fqinj. “Kjo marrëveshje shënon një hap cilësor në vizionin tonë për shndërrimin e drejtorisë antikorrupsion në një agjenci të mirëfilltë antikorrupsion në varësi të MD-së”, tha Ministri Manja.
Gjatë vizitës zyrtare, Ministri Manja do të takojë edhe Ministrin e Drejtësisë Italiane, Carlo Nordio, me të cilin do të diskutojë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive në fushën civile dhe penale.
Ministri Manja do të zhvillojë edhe takime të tjera të nivelit të lartë, si takimi me presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Giorgio Lattanzi, takimi i përbashkët me presidenten e Gjykatës së Lartë së Kasacionit, Margherita Cassano dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Luigi Salvato, si dhe një takim i përbashkët me Kryetarin e Komisionit të Drejtësisë, Ciro Maschio dhe anëtarë të tjerë të komisionit.