Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në “Tirana Live”, u shpreh se me reagimet e fundit, ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik si edhe të ndërkombëtarëve. Gjithashtu ai thekson se Berisha sot nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtareve.

“Do të kishim një Berishë shumë më agresiv nëse poshtë dritares të kishte 3-4 mijë veta. Po ashtu do të kishim një Berishë shumë më agresiv nëse do të kishte sado pak mbështetjen e perëndimoreve gjë që nuk e ka dhe kjo duket. Sot është i lënë vetëm.

Nga ana tjetër përpiqet të lëvizë nga vendi opinionin publik që duket shumë indiferent dhe përpiqet të tërheqë vëmendjen e diplomatëve të huaj duke e bërë situatën më të tendosur në mënyrë që ato të futen dhe të gjejnë një kompromis mes palëve, siç ka ndodhur me dhjetëra herë në 30 vitet e fundit. Por për fat të keq qëndrimi i opozitës dhe linja e saj më agresive u bë më agresive kur SPAK filloi hetimet.

E gjithë opozita që sot rreshtohet pranë Berishës është treguar më agresive kur SPAK u fut me hetime tek kryeministri. Berisha i beson parimit, sa më keq aq më mirë. Në eksperiencën e tij të vjetër ai mendon se kur tensioni politik bëhet i lartë, aq më afër është një zgjidhje apo një kompromis i momentit të fundit. Berisha beson se SPAK e ka një pikë kthimi , se duke u sulmuar mendon se do të kthehet në një moment të caktuar. Por të shohim nëse SPAK do të vazhdojë me linjën e tij të ashpër”, tha ndër të tjera analisti.