Kryeministri Edi Rama ka realizuar një intervistë në podcastin tij “Flasim” me historianin, autorin dhe gazetarin e famshëm britanik, Timothy Garton Ash.
Një ndër temat e diskutimit në këtë podcast ka qenë “Brexit”, dalja e Britanisë nga Bashkimit Europian. Historiani britanik është shprehur se ‘Brexit’ ishte ‘distafa më e madhe politike e jetës së tij’.
Por gjatë bashkëbisedimit historian britanik ka kritikuar qeverisjen e Tony Blair, që sipas tij ishte ndër shkaqet që ndodhi më pas dalja e Britanisë nga BE-ja.
“Mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra – e tija ishte një periudhë e mrekullueshme e historisë britanike – gabimi që bëri ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim.
Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren – meqë ra fjala, vetëm 52 për qind me 48 për qind, mos harro, nuk ishte aspak e pashmangshme – ishte “Rimerr kontrollin”. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit).
Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj- tha historiani.
Por kryeministri Rama ka thënë se nuk duhet të fliste për Blair në praninë e tij.
“Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek”, u shpreh kryeministri.
Më tej Timothy Garton Ash është shprehur se ai e kishte mik Tony Blair. “”Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij”, u shpreh historiani .
Por Rama e ka ritheksuar se nuk donte të flitej për Tony Blair në praninë e tij. “Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite?
Nuk mendoj se është shumë korrekte, që ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, hapje, hapje ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje, mbyllje, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair!
Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”. Megjithatë, shumë kohë më parë, ai e ka thënë dhe e ka propozuar një mënyrë për të kontrolluar (imigracionin). Ai ka qenë një prej atyre njerëzve që ka paraqitur propozime për kontrollin. Mund të isha shumë mirë biografi i tij, por jo si ju, nga brenda, por nga jashtë”, është shprehur Rama.