Nisur nga situata e krijuar nga moti i keq, Policia e Shtetit dhe OSSH ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin. Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi të cilat kanë kaluar në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve në rast nevoje për ndihmë, dhe për të menaxhuar trafikun rrugor. Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë, me mjetet e tjera në rrugë. Zonat me risk më të lartë janë: Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse; Fushë Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane; Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane; Durrës. rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore; Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.
Gjithashtu, policia apelon për qytetarët që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë. Edhe OSSH ka rritur gatishmërinë në zonat e prekura. Moti i keq është shoqëruar kryesisht me shtrëngata shiu dhe shkarkesa atmosferike, që sollën dëme në shtylla, prezencë uji në kabina, stakime në disa linja 35kV dhe n/stacione. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes rriti gatishmërinë me mjete transporti dhe bazë materiale, duke u përqendruar kryesisht në linjat e tensionit të lartë dhe n/stacione. Grupet e avarive ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë në ato zona ku moti ka një përmirësim, pasi në kushte të prezencës së shiut duhet të bëjnë kujdes në zbatim të sigurisë teknike.
Sipas OSSH nga ora 14:30, rezulton se ka jashtë pune 71 fidera, ku më shumë se 85% prekin abonentë në zonat rurale. Problematika të furnizimit me energji elektrike kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë. Probleme ka patur edhe në n/stacione, por falë reagimit në kohë është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike brenda 10 minutash. Të gjithë linjat e rrjetit elektrik që furnizojnë intitucionet e rëndësisë së veçantë, si spitalet dhe hidrovoret janë në funksion të plotë. Gjithashtu, edhe linjat e tensionit të lartë 35kV ndodhen në kushte optimale.