E shqetëson realiteti Preç Zogajn, në një Shqipëri ku ende në rrjedhën e jetës së një individi, zëri moralist i shoqërisë mund të jetë imponues, e për pasojë destruktiv. Ngjarjet e romanit të tij më të fundit “Nata”, që u diskutuan këtë fundjavë gjatë promovimit në Qendrën e Artit “Agimi” shohin figurën femërore, si prenë e parë të mendësisë maskiliste, emancipimit të keqkuptuar, materializmit.

Fatet e tri motrave, janë të shënuara nga vdekja tragjike, për të cilën autori përmes protagonistëve heton sa në brendi të personazheve aq në shoqërinë kaotike e realitetin e akullt, ndonëse siç thotë ‘vrasja fillon gjithmonë më herët se kur ndodh”. Letërsia në këtë rast rrëfen, duke nxitur natyrshëm reflektimin për ndryshim të mentalitetit.

S’mbetet tjetër kur i falesh territ, veç pendesës e pamundësisë për t’u kthyer pas. Hekurat fizikë dhembin pak ndaj torturës shpirtërore dhe dy syve të pafajshëm, dritën e të cilëve ndodh ta shuajë, kush duhet të ish bërë mburojë.