Më 16 nëntor, një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në vend, Behar Bajri u ekstradua në Shqipëri dy muaj pas arrestimit në Francë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla shpjegoi sonte se si është ekstraduar Bajri drejt Shqipërisë. 43-vjeçari është shoqëruar në aeroportin e Parisit nga oficerët francezë. Nga aty është marrë nga oficerët e RENEA-s dhe një përfaqësues i Interpolit.
Itinerari ka vijuar me një linjë ajrore drejt Stambollit e më pas drejt Tiranës. Ekstradimi ishte planifikuar në datën 15 nëntor, por u shty një ditë më vonë. Balla shpjegon se nuk ka patur një arsye të veçantë, thjesht çështje fluturimi.
Çfarë procedure u ndoq me Bajrin? E deporton dot policia një person që kërkon strehim në një vend?
Balla: Mjafton që Interpol i një vendi të caktuar, Interpol Dubai të ndalojë njërin nga këta persona dhe këtë person ta çojë drejt aeroportit të Dubait, ta deportojë përtej kufirit, pra kontrollit të pasaportave, nga ai moment pastaj ai person mund të merret nga ne dhe të sillet në Shqipëri.
Mjafton të dalë nga kontrolli i pasaportave të Dubait, Francës, nuk ka rëndësi dhe aty mund ta marrë Interpol ose autoritetet shqiptare për ta sjellë direkt.
Balla: Personi është marrë nga ana jonë në aeroportin e Parisit dhe nga ai moment është transferuar.
Policia franceze jua ka nxjerrë jashtë kontrollit të pasaportave dhe pastaj ju e prisnit aty dhe e morët?
Balla: Po, kemi pasur oficerët tanë aty.
Oficerët e policisë shqiptare? Nuk është shoqëruar nga oficerët francezë?
Balla: Patjetër, shoqëruar deri në momentin…
Jo, jo nga Franca direkt në Shqipëri nuk kanë ardhur oficerët?
Kanë qenë oficerët shqiptarë?
Balla: Oficerët e RENEA-s dhe një përfaqësues i Interpolit.
Një përfaqësues i Interpolit, oficerët e RENEA-s, ata e kanë marrë menjëherë pas kontrollit të pasaportave dhe e ekstraduat. Pse pati një ndryshim në ekstradimin e Bajrit, u tha që do të vinte…
Balla: Çështje fluturimi.
Po kalimi i tij, nuk është i rrezikshëm kalimi i një personi të kërkuar me pranga nëpër aeroportet e Europës? Ka ardhur nga Stambolli ai.
Balla: Udhëtimi ka qenë Paris-Stamboll, Stamboll-Tiranë.
Çështja është si ka mbërritur deri në Stamboll, në çfarë rrethanash?
Balla: Sepse udhëtimi i parashikuar ishte në një linjë tjetër ajrore e cila ne e kishim marrë lejen edhe nga linja tjetër ajrore që kalonte përmes aeroportit të Frankfurtit, ka pasur një problematikë me atë linjë ajrore dhe pastaj kemi gjetur një mundësi tjetër brenda pak orësh.
Pra ky është thjesht deportim, autoritetet franceze thonë dil nga territori ynë dhe pastaj e merr në dorë policia.
Balla: Kjo është një mënyrë e mirë mendoj unë, e sugjeruar edhe nga partnerët tanë.
Unë kam pasur një mesazh sipas të cilit Bajri vetë ka qenë i interesuar që të vijë në Shqipëri.
Balla: Këtë s’e di.