Nga Ilir Metaj/
Po afron dhjetori.
Ta kujton këtë energjia e rrugëve për festat e nëntorit, apo gumëzhima e “Black Friday” që shume a pak i perfshin të gjithë. Duket sikur ky muaj shpërthen gjithë energjitë e kursyera gjatë vitit.
Por për mua, dhjetori mbetet muaji i nënës time. I të gjitha nënave të brezit tim në fakt.
Nuk e di brezat e rinj a mundet të gjejnë dicka aq speciale te dhjetori, sa kemi ne.
Për mua dhjetori ka aromën e petëve të bakllavasë të shtruara mbi gjithshka kishte kuzhina jonë e vogël.
Nata gjithmonë kishte orë që kish mbuluar qytetin, ndërsa nëna ime tehollte petët, për mua të pafundme në numër.
Ajo do ngrihej sërish herët në mëngjes të shkonte në punë. 3-4 orë e ndanin nga kjo.
Por asnjë shenjë lodhje nuk i shihja kurrë në fytyrë ndërsa tendosej mbi petët e bardha. Uroja që secila të ishte e fundit. Që më në fund ajo të çlodhej për ditën tjetër.
Nënat tona ndaj janë heroinat tona. Sepse na mbushnin tryezën plot kur dyqanet ishin bosh, kur xhepat ishin bosh. Ku e gjenin gjithë atë dashuri që e zbukuronte dhe shtonte gjithçka!
Me pak miell, me 2-3 portokalle dhe duart e tyre të palodhura.
Kaq mjaftonte që të dukej sikur tavolinës sonë nuk i mungonte asgjë.
Ajo pamje dhjetori, e ka zbukuruar fëmijërinë tonë, i ka dhënë ngjyra atëherë kur ngjyra nuk blihej por nxirrej nga shpirti.
Uroj që edhe sot për çdo fëmijë të ketë një ngjyrë në dhjetor që del veç nga shpirti i nënës së tyre dhe nuk mund blihet.
Është shumë e rëndësishme që ta marrin me vete nëpër vite. Siç e kemi marrë ne.
Po ky mbetet specialitet i nënës shqiptare. Askush nuk mund ta tjetërsojë.
Vetëm ndryshon pamje.