Teksa armëpushimi i përkohshëm mes Izraelit dhe Hamasit, ka hyrë në ditën e 4 dhe të fundit, ka shpresa se pauza në luftime mund të zgjatet më tej. Grupi militant që udhëheq Rripin e Gazës kërkon që armëpushimi të vijojë, dhe premton të rrisë numrin e pengjeve të liruar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se marrëveshja fillestare mund të zgjatet, por se operacionet izraelite do të rifillonin me fuqi të plotë pas përfundimit të armëpushimit.

“Po diskutohet mundësia e lirimit çdo ditë shtesë 10 pengje të tjera, por unë i thashë presidentit amerikan Joe Biden se në fund të armëpushimit ne do të kthehemi operacioneve me fuqi të plotë, deri në përmbushjen e qëllimeve tonë; eliminimi i Hamasit dhe sigurisht lirimi i të gjitha pengjeve”, tha Netanyahu.

Të paktën 17 pengje të tjerë u liruan në ditën e tretë të armëpushimit, në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë.

Gjatë 72 orëve, Hamasi ka liruar një total prej 58 pengjesh, kryesisht gra dhe fëmijë, në këmbim të 117 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. 13 izraelit, 3 tajlandezë dhe një person me nënshtetësi ruse u transferuan me sukses nga Gaza drejt izraelit ditën e diel.

Mes të liruarve ishte edhe 4-vjecarja amerikano-izraelite Abigeil Idan, e cila siç tha presidenti Biden, kishte dëshmuar vrasjen e prindërve të saj nga Hamasi gjatë masakrës së 7-tetorit.

E mitura është dërguar për kontrolle në spital, teksa gjyshi i saj thotë se nuk e beson dot që ajo është rikthyer, dhe falenderon presidentin amerikan për ndihmën.