Jozefina Topalli ka reaguar për skenat e së hënës në Kryesinë e Kuvendit.

“Pamjet që kemi parë përmes mediave, ku opozita nuk lejohej të hynte në parlament, nuk bënin ndonjë dallim me atë që thuhej për vendet afrikane. Kriza e vendit nuk zgjidhet me sjellje brutale ndaj opozitës, duke mbyllur me dry, shula, brava, dyert e parlamentit për të penguar deputetët e opozitës të kryejnë detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Pamjet shokuese e brutale të pushtetit kundra opozitës, që japin të gjitha mediat sot, përcjellin akte turpi politike, të paimagjinueshme, që nuk i ka njohur kurrë historia e tri dekadave. Nuk është Garda në fakt, që mund të guxonte të bënte një çmenduri të tillë. Urdhri është politik dhe i paprecedent.

Në Kushtetute shkruhet se ne jemi Republikë Parlamentare dhe në Republikën Parlamentare, opozita është thelbi i jetës demokratike. Pjesëmarrja e saj në jetën parlamentare është kritike për një demokraci të shëndetshme parlamentare.

Nëse opozitës i vidhet emri dhe vula e identifikimit si forcë politike, nëse ajo nuk lejohet të hyjë në zgjedhje me emrin e kryetarit të saj, nëse opozitës nuk i lejohet të luajë rolin e saj, të mbikëqyrë pushtetin, të kritikojë, të kërkojë komisione hetimore, të mbrohet nga Kushtetuta, nëse deputetët e opozitës nuk lejohen as të hyjnë në zyrat e tyre, atëherë… lamtumirë pluralizëm”, shkruan ajo.