Një rritje e sëmundjeve të frymëmarrjes në të gjithë Kinën që ka tërhequr vëmendjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shkaktuar nga gripi dhe patogjenë të tjerë të njohur dhe jo nga një virus i ri, theksoi këtë të dielë ministria kineze e Shëndetësisë. “Grupet e fundit të infeksioneve të frymëmarrjes shkaktohen nga një mbivendosje e viruseve të zakonshme që shkakton rënie të imunitetit, si; rinoviruset, virusi sincicial i frymëmarrjes ose RSV, adenovirusi, si dhe bakteret si mycoplasma pneumoniale, që është një shkaktar i zakonshëm për infeksionet e traktit respirator”- tha një zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.
Ministria u bëri thirrje autoriteteve vendore të hapin më shumë klinika kundër etheve dhe të promovojnë vaksinimet e fëmijëve dhe të moshuarve, ndërsa vendi përballet me një valë sëmundjesh të frymëmarrjes në dimrin e tij të parë të plotë që nga heqja e kufizimeve të Covid-19.
“Duhet të bëhen përpjekje për të rritur hapjen e klinikave dhe zonave përkatëse të trajtimit, zgjatjen e orarit të shërbimit dhe rritjen e furnizimit me ilaçe”- tha zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Mi Feng. Ai këshilloi njerëzit të mbanin maska dhe u bëri thirrje autoriteteve lokale që të fokusohen në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në vendet e mbushura me njerëz si shkollat dhe azilet e pleqve.
OBSH në fillim të kësaj jave kërkoi zyrtarisht që Kina të jepte informacion në lidhje me një rritje potencialisht shqetësuese të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupeve të pneumonisë tek fëmijët, siç përmendet nga disa raporte mediatike dhe një shërbim global i monitorimit të sëmundjeve infektive.
Shfaqja e llojeve të reja të gripit ose viruseve të tjera të aftë për të shkaktuar pandemi zakonisht fillon me grupe të padiagnostikuara të sëmundjeve të frymëmarrjes. Si SARS ashtu edhe Covid-19 u raportuan fillimisht si lloje të pazakonta të pneumonisë.