Nga Mero Baze/
Kam parë sot njerëz të dëshpëruar për sherrin mes Kreshnik Çollakut dhe Dashnor Sulës, si rrahje brenda opozitës. Me thënë të drejtën, u gëzova që nuk u rrahën, por më shumë u gëzova që kanë filluar të guxojnë të mendojnë dhe të përleshen për mendimet e tyre. E di që për shumë vetë duket qesharake, por kjo opozitë, kështu siç është sot, është përsëri më e mirë se Partia Demokratike e “bashkuar” deri në vitin 2021.
Identiteti kryesor i Partisë Demokratike qyshkurse Berisha e vuri poshtë vetes e deri në vitin 2021, ishte mungesa e të drejtës për të menduar. Dhe kjo pati një proces. Në fillim u përjashtuan ata që mendonin, pastaj u bë betejë kundër atyre që tentonin të mendonin derisa pas vitit 2000 u bë normë që nëse duhet të rrije aty, nuk duhet të mendoje. Mjaftonte mendimi i Sali Berishës.
Në këtë identitet poshtërues për një forcë politike, dhe mbi të gjitha nën këtë standard anti-intelektual, Partia Demokratike filloi të jetojë jo mbi debate reale politike, por mbi paranoja, armiq të sajuar, dhe realitete të prodhuara nga mendja e sëmurë e Sali Berishës, në funksion të justifikimit të krimeve të veta dhe familjes së tij. Në atë parti, kur thuhej se presidenti i tyre Bamir Topi ishte puçist, dhe i dërguar i Gramoz Rucit, besohej. Në atë parti, kur thuhej se më 21 janar protestuesit i vrau Edi Rama me çadër pistoletë, ishin të gjithë dakord. Madje ngrinin dhe komision parlamentar për këtë çështje.
Në atë parti, kur thuhej se Gërdeci ishte një projekt i NATO dhe një sukses i PD që donin ta errësonin me faktin se shërbimet e huaja vranë 26 vetë, e besonin të gjithë, edhe pse të gjithë e dinin që Shkëlzeni ishte në krye të punëve. Në atë parti, kur thuhej që Sokol Olldashi ishte armik që duhej eliminuar, e besonin të gjithë, dhe ata që rrinin 24 orë me të.
Në atë parti, para çdo palë zgjedhje besonin se do fitonin thellë të dielën dhe të hënën besonin se Edi Rama ua kishte vjedhur thellë. Asnjë dyshim nuk kishin.
Në atë parti besonin se më 2017 Lulzim Basha e mundi Edi Ramën në marrëveshje dhe festonin se këtë e tha Berisha. Po në atë parti tani qajnë se Lul Basha ka humbur në marrëveshjen me Edi Ramën dhe kjo, se edhe këtë e ka thënë Sali Berisha, por disa vite më vonë. Në atë parti besonin se Ilir Meta më 2015 ishte hajdut dhe kishte vjedhur CEZ, se e tha Sali Berisha në Parlament. Në atë parti sot besojnë se Ilir Meta nuk është hadut dhe nuk ka vjedhur CEZ, se e ka thënë sot Sali Berisha.
Në atë parti më 2021, në korrik, besonin se pavarësisht tre humbjeve në zgjedhje, Lulzim Basha ishte fati i përjetshëm i PD se e tha Sali Berisha. Në atë parti në shtator besonin se fatkeqësia më e madhe e PD ishte Lulzim Basha, të cilin e ka sjellë Edi Rama në PD. Mund të kesh me dhjetëra fakte të tilla nga historia qesharake e asaj partie. Tani kjo histori ka vdekur dhe nuk është pak.
Tani brenda PD njerëzit po rrihen me njëri- tjetrin për qëndrime të ndryshme dhe ky është një hap i madh përpara, nga unanimiteti për të besuar çdo budallallëk.
Sot Dashnor Sula ka tentuar të rrahë kreshnik Çollakun, pasi Dashi e ka më të ngadaltë reflektimin për gënjeshtrat e Berishës. Më kujtohet se dhe më 21 janar në komisionin hetimor ai besonte se Berisha do t’i sillte me vete në komision çadrat pistoletë dhe i tha “Doktor na i sill këto fakte që the”.
Por përsëri nuk është keq, se ka filluar të mendojë dhe ka kuptuar për shembull që Enkelejd Alibeaj nuk është burrë i mirë, kurse Bylkbashi ëhstë burrë i mirë. Nuk është pak të fillosh të bësh krahasime dhe të mendosh. Nuk është pak të ketë debat nëse duhet të ndezim flakadanë apo jo, nëse duhet të përmbysim karrige apo jo, nëse duhet të jemi me Lulin, me Gazin, me Joridën, me Agron Shehajn apo Berishën. Po ashtu deputetë të PD zyrtare kanë kuptuar se Jorida i ka ftuar në Komision dhe i ka nxjerrë në pritë tek Berisha dhe vetë nuk ka shkuar. Dhe ky është hap përpara.
Është hap i madh përpara për një opozitë, e cila kishte heq dorë nga të menduarit.
Tani mund t’iu duket një opozite e copëzuar e ndarë në grupime, pa udhëheqës të fortë e plot të meta të tjera, por ama të gjithë po mendojnë si të shpëtojnë nga kjo situatë. Nuk është pak më besoni. Është fjala për një parti, që besonte disa muaj më parë, që Sorosi ka sjelle Covidin, ka sjell “non grata”-an e Berishës dhe Evi Kokalarin si agjente.
Tani së paku nuk mendojnë të gjithë njësoj. Janë katër a pesë grupe me mendime të ndryshme. Dhe janë gati të rrihen për mendime të ndryshme. Nuk është pak për një parti e cila ishte gati të vdiste e gjitha për Berishën dhe kishte drejtues që i luteshin me lot në sy “na jep shansin të vdesim për ty Doktor”. Tani që ai po u jep shansin, nuk po duan të vdesin për të, por thellë thellë urojnë t’u vdesë ai.