Ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se: “Pjesë e Reformës në Arsimin Parashkollor, do të jetë edhe vlerësimi periodik psiko-social, jo vetëm për mësuesit, por edhe për edukatoret e çerdheve dhe kopshteve”

Tiranë, 20 Nëntor – Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, u firmos Pakti Kombëtar kundër dhunës seksuale dhe çdo forme dhune ndaj fëmijëve, nga Ministri i Brendshëm, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja e Shtetit për Fëmijët dhe Rininë si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, si një angazhim për të bashkërenduar veprimet në mbrojtje të të drejtave të fëmijëv në Shqipëri.
“Ky pakt është i një rëndësise të veçantë, pasi bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve, që janë të parët në politikat tona. Ne jemi të angazhuar të forcojmë mekanizmat e parandalimit dhe sinjalizimit të hershëm, si forma më e mirë për reduktimin, deri në eleminim të çdo forme të dhunës ndaj fëmijëve”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Duke folur për reformën e re të saposhpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në arsimin parashkollor, Manastirliu u shpreh:
“Reforma në arsimin parashkollor që kemi shpallur, do të prekë të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe edukimin në fëmijërinë e hershme. Do të rishikohet jo vetëm paketa e akteve ligjore e nënligjore, jo vetëm zgjerimi dhe forcimi i mekanizmave të inspektimit periodik, duke përdorur edhe teknologjinë, por do të bëhet edhe vlerësimi periodik psiko-social, jo vetëm për mësuesit por edhe për edukatoret e çerdheve dhe kopshteve”.
Ministrja Manastirliu e vuri theksin gjithashtu tek rëndësia e bashkëpunimit për rritjen e sigurisë kibernetike, si dhe tek mbështetja për punonjësit psiko-socialë dhe punonjësit e sigurisë në shkolla, e cila do të vijojë edhe me buxhetin 2024, për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje të fëmijëve në sistemin arsimor.
Pakti i firmosur sot parashikon forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit, për të luftuar dhe mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe e shfrytëzimit seksual, bullizmit, manipulimit dhe nxitjes për përdorimin e substancave, si dhe gjuhës së urrejtjes në internet dhe në jetën reale. Në këtë Pakt, parashikohet raportimi i çdo incidenti dhe faqeje të rrezikshme për fëmijët pranë linjës kombëtare për internet të sigurt në Shqipëri – iSIGURT.AL/ ALO 116-111; rritja e ndërgjegjësimit përmes nismave dhe fushatave konkrete për informimin dhe edukimin për të drejtat dhe për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo forme të dhunës si dhe përmirësimi i politikave, standardeve, protokolleve dhe planeve konkrete të veprimit për mbrojtjen e fëmijëve.