Gazment Bardhi tha se opozita do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar të drejtat që ia garanton kushtetuta.

Ai tregoi se ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar zyrtarisht dhe në takime personale për arsyet pse opozita është në këtë aksion për të pamundësuar punën normale të parlamentit.

“Do vazhdojmë ta bëjmë të pamundur vijimin e punës në kushte normale në kuvend, ne do të vazhdojmë aksionin për të pamundësuar një veprimtari normale të kuvendit të Shqipërisë.

Unë kam njoftuar faktorin ndërkombëtar në takime personale dhe zyrtarisht për arsyet pse opozita është në këtë aksion.

Kam informuar përfaqësuesit kryesore diplomatike kur kemi nisur këtë aksion në parlament për të pamundësuar punën normale të parlamentit”, tha Bardhi.

Bardhi komentoi dhe përplasjen fizike mes Sulës dhe Çollakut pas një debati të këtyre të fundit.

Ai tha se nuk mbështet dhunën në asnjë lloj mënyrë, as mes miqve, siç ju referuar Çollakut dhe as mes kolegëve, qofshin këta pjesë e mazhorancës.

“Duhet të kuptosh që secili prej nesh që ndjen çdo ditë presionin e regjimit të Edi Ramës, mënyrën se si Edi Rama po tenton ta poshtërojë opozitën në parlament ka një lloj reagimi edhe momental për të cilin kolegët duhet të bëjnë gjithçka për ta shmangur,” – u shpreh Bardhi.

Disa ditë më parë deputetët e PD, Dashnor Sula dhe Kreshnik Çollaku janë përplasur verbalisht dhe fizikisht brenda ambienteve të Kuvendit.