REAGIMI I ISH-MINISTRIT ILIR BEQAJT, PAS MASES SE GJKKO NDAJ TIJ PER DETYRIM PARAQITJE DHE MOSLEJIM PER TE DALE JASHTE VENDIT:

Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas kthimit tim nga një udhëtim pune jashtë vendit, jam kontaktuar nga oficerë të SPAK/BKH, të cilët kërkuan paraqitjen time në mjediset e tyre, për të më komunikuar dhe dorëzuar një kopje të vendimit të datës 16.11.2023, të gjyqtarit të posaçëm, z. Erjon Bani, dhënë në bazë të kërkesës së bërë nga vetë organi i Prokurorisë, nëpërmjet të cilit ishte vendosur që për nevoja të procedimit penal nr. 13, të vitit 2020, që lidhet me çështjen e quajtur te sterilizimit, ndaj meje të merrej masa e sigurimit “detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë dhe avokatët e mi, në identifikim të një sërë shkeljeve procedurale dhe materiale që në këtë fazë të procesit më kanë sugjeruar ankimimin e këtij vendimi, unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar.

Përpos kësaj, për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, kam vlerësuar gjithashtu që të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Unë shpresoj që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë të plotë, duke vënë drejtësinë dhe të vërtetën mbi çdo paragjykim dhe sulm politik. Besoj fort që ajo çka kemi arritur me sterilizimin ka qenë një domosdoshmëri dhe më e mira e mundshme që ne mund të bënim në realizimin e një objektivi të tillë ambicioz si kujdesi per shendetin e shqiptareve. Besoj fort që në fund të këtij procesi emri im do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar.