Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja ka dorëzuar ditën e sotme në Kryeministri projektin përfundimtar të Amnistisë Penale. Në fjalën e tij, Manja tha se do të rritet numri i përfituesve.

“Ju bëjmë me dije se ditën e sotme, date 30.11.2023, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Kryeministri versionin përfundimtar të Amnistisë, ku janë reflektuar dhe rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në versionin përfundimtar preken vendimet deri në date 30.11.2023, duke e përafruar numrin e përfituesve rreth 620 të dënuar. Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar” – theksoi Ministri Manja.

Në draft është parashikuar që të pushojë ndjekja penale për pjesën me të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen deri në 2 vite burg. Nga ana tjetër, përfitojnë nga 1 vit ulje dënimi të gjithë të dënuarit burra dhe gra, si edhe të miturit që nuk janë pjesë e amnistisë. Këtu përjashtohen të dënuarit me burgim të përjetshëm, të dënuarve për vrasje ose ato që janë subjekt i SPAK. Pas kalimit në Parlament, ku kërkon 84 vota pro, ligji “për dhënie amnistie” është parashikuar t’i fillojë efektet 15 ditë pas botimit në fletore zyrtare.