Një studim i publikuar në revistën Clinical Virology ka zbuluar lidhjen mes motit dhe shpërndarjes së viruseve që shkaktojnë grip. Të dhënat tregojnë se gripi shpërthen kryesisht pas acarit të parë të dimrit.
Sipas ekspertëve, acari i parë i dimrit që shoqërohet me nivele të ulëta lagështie dhe temperatura të ftohta, nxit shpërndarjen më të madhe të gripit.
Ata thonë se në momentin që epidemia e gripit nis, nuk ndalon edhe nëse rriten temperaturat. Një person i infektuar me grip mund të infektojë lehtësisht shumë njerëz të tjerë. Gripi shpërndahet edhe nëpërmjet teshtimës.
Kur njeriu tështin, ai lëshon në ajër grimca që përmbajnë viruse të cilat shpërndahen më lehtë në mot të ftohtë e të thatë.
Megjithatë, ekspertët thonë se rinoviruset, një prej shkaktarëve të të ftohurës, nuk ndikohen vetëm nga moti apo stina e ftohtë.
Nëse mjekët janë në gjendje të parashikojnë epidemitë vjetore të gripit dhe viruseve të tjera, ata mund të informojnë publikun që njerëzit të jenë më të sigurtë.
Në rajonin e Ballkanit virusi H1N1 ka shkaktuar vdekjen e 72 personave dhe me qindra të tjerë rezultojnë të jenë prekur.
Më alarmante situata duket në Rumani, ku deri më tani virusi ka marrë jetën e 54 personave, por viktima janë regjistruar edhe në Bosnje, Greqi e Mal të Zi.
Në Shqipëri, mjekët ende nuk kanë konfirmuar pacientë të prekur nga gripi i derrit por Instituti i Shëndetit Publik ka pohuar se virusi H1N1 është në qarkullim edhe në Shqipëri, ndaj bëhet thirrje për më shumë kujdes.
Moti i ftohtë nuk është i vetmi që nxit epideminë e gripit
Ekspertët thonë se viruset që qëndrojnë gjatë në ajër dhe në praninë e shumë njerëzve shkaktojnë epidemi.
Gripi mund të shpërndahet lehtë edhe në vende me klimë të ngrohtë.
Ekspertët thonë se rënia e temperaturave është ndikuese por nuk është faktori i vetëm për shpërndarjen e gripit.
Mjekët nga ana tjetër kanë rekomandimet e tyre për parandalimin e gripit.
Ata këshillojnë që së paku njerëzit me grip të mbulojnë gojën kur kolliten ose të tështijnë.
Ata duhet të lajnë duart shpesh dhe të kryejnë vaksinat vjetore kundër gripit.
Nëse sëmureni me grip
Përdorni medikamente për të ulur temperaturën – Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes.
Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, bli, etj dhe ajrosni herë pas here ambientet.
Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule), fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve.
Disa ushqime me veti anti- inflamatore apo anti-mikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare, janë: xhenxhefili, mjalti, hudhra, qepa, limonët, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët.
Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë.
Mos përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut./AgroWeb.org