Tirana solidarizohet me Firencen dhe Toskanën në Itali, të cilat gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme kanë pësuar përmbytje, si pasojë e motit të keq. Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka shprehur mbështetjen dy homologëve të tij italianë për çdo nevojë.

“Të gjithë në Tiranë jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi i përmbytjeve dhe humbjeve të jetëve në Firence dhe në Toskanë. I shpreha solidaritetin vëllait tim, kryebashkiakut Dario Nardella dhe mikut/kryetarit Eugenio Giani. Lutemi që kjo katastrofë të kalojë sa më shpejt dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo rast nevoje”, shkruan Veliaj.