Nga Mero Baze/
Fushata e re e dhunës së Sali Berishës në Kuvend, në pritje të paraqitjes në SPAK më 6 Nëntor, ka një veçori që nuk e ka pas asnjë prej fushatave të tjera të dhunës së tij parlamentare apo asaj në rrugë në 32 vite. Është hera e parë që dhuna nuk bën nervoz asnjë prej kundërshtarëve të vet. As ata në opozitë, as ata në pushtet.
Nëse shikon skenën e dhunës në Kuvend, askush nuk bëhet nervoz. Deputetit socialist, shkon Flamuri i heq kartën, ndërsa deputeti në krah nuk lëviz fare e shikon gjithë indiferentizëm. Një deputet i Berishës qëllon me grusht mbi një socialist, të tjerët e shikojnë me qetësi dhe i thonë të largohet. Madje as kur ndjejnë që në shpinën e tyre është mbështetur Albana, që do të marrë dhe ajo ndonjë kartë, nuk u lëviz as një muskul në fytyrë.
E njëjta gjë ndodh kur zënë korridoret e Kuvendit, apo kur hyjnë në zyrën e deputetes Bushka, apo kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolli. Të gjithë kanë një vështrim si të bezdisur për ta, dhe i lënë të bëjnë ç’të duan. Ngjan sikur një grup deputetësh talibanë po hyjnë me dhunë në një Parlament skandinav.
Dhe e keqja është se nuk është ndonjë strategji socialistësh. Është një bezdi ngaqë të gjithë kuptojnë hallin e fushatës së dhunës. Është halli i Sali Berishës dhe vetëm atij. Edhe ata katër- pesë vetë që i shkojnë nga pas, kanë halle të vogla me Saliun.
Çfarë ka ndodhur befas këto dy javë në historinë e Shqipërisë, që Berisha po provokon këtë fushatë dhunë parlamentare?
E vetmja gjë e rëndësishme është që është arrestuar dhëndri i Sali Berishës dhe është urdhëruar Sali Berisha të paraqitet një herë në dy javë tek një oficere e BKH, të shqiptojë emrin, mbiemrin, të tregojë ID, të firmosë dhe pastaj të largohet.
Kaq ka ndodhur. Të tjerat janë të gjitha siç ishin. Deputeti i Lushnjës fjala vjen mund të mos ishte përjashtuar nga Kuvendi, sikur mos të s’kualifikohej nga “Dancing”, Gaz Bardhi mund të mos ishte përjashtuar sikur të mos kishte atë sherrin me Bashën për kryetar grupi, atij deputetit nga Devolli mund të mos i mësonim as emrin deri në fund të mandatit, sikur të mos tregonte talentin për boksier.
Vetëm për Albanën dhe Flamurin mund të thuhet se ka një dramë të madhe në jetën e tyre, pasi një orë në çdo dy javë nuk do të jenë pranë Doktorit dhe dhuna e tyre justifikohet
.
Por problemi është se dhuna e tyre nuk po merret seriozisht pikërisht nga fakti se nuk shikohet si dhunë, por si qaramanllëk. Një burrë që ka gjithë jetën që i bën gjyqin çdo njeriu në këtë vend, ja bën rrugëve, tribunave, sallave dhe madje dhe nëpër vdekje, dhe kur vjen gjyqi i tij, fshihet si burracak pas fustanit Albanës dhe potureve të Flamurit, ngjan thjesht si qaraman.
Është një dhunë që as mbështetësit e tij nuk i ngroh, nuk u ngjall emocione, dhe mbi të gjitha nuk i bën të ndjehen luftëtarë në këtë histori. Edhe nëse një moment mendojnë ta mbështesin atë, u kujtohen 17 kullat, 65 milionë euro fitim, dhe pastaj gënjeshtrat e vajzës, djalit, dhëndrit, mbesave dhe nuseve të tij, që kapardisen me miliardat e vjedhura dhe ulin kokën. Minimumi kafshojnë gjuhën në heshtje dhe shajnë ndonjë socialist duke I thënë: “emo se dhe ju keni vjedhur”.
Indiferenca ndaj fushatës së dhunës parlamentare të Berishës, është armiku më i madh i saj. Dhe nuk është një strategji PR. Është një reagim natyral, është një lloj bezdie, nga një plak që e kanë 32 vjet nëpër këmbë, duke i kërcënuar gjithnjë njësoj, dhe duke humbur gjithnjë njësoj.
Po çfarë ka ndodhur që socialistët nuk janë më nervozë me dhunën e Berishës, siç ishin fjala vjen 3 muaj më pare?
Ka ndodhur po ajo që thamë më lart, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë për ta. Për herë të parë prej dy javësh Sali Berisha është një i pandehur i drejtësisë. Dhe është bashkë me dhëndrin, me djalin dhe vajzën në radhë.
Kaq kanë dashur gjithë shqiptarët për të. S’kanë pse bëhen më nervozë. E kanë arritur një zotim të madh, për ta çuar atë para drejtësisë.
Për socialistët kjo vlen më shumë se fakti që buxheti i këtij viti është dy herë më i madh se buxheti që iu la Berisha më 2013.
Se janë ca gjëra që nuk blihen me para. Kështu është dhe përfundimi i Berishëve në duart e drejtësisë.