Në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në ambiente të ndryshme.

Si rezultat, gjatë kontrolleve në lokalin e marrë me qira nga shtetasi A. O. (M.), në fshatin Trush, shërbimet e Policisë konstatuan se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe për shitje të dozave të lëndës narkotike kokainë. Në këtë ambient, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në disa doza.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi A. O. (M.), 41 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.