Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë aksionit të së enjtes është vrarë njëri prej të dyshuarve për grabitjen e armatosur, të kryer ditë më parë në një argjendari në Suharekë. Në njoftimin për media, policia ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, ndërsa një tjetër është ende në kërkim policor.

Më tej thuhet se gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, duke plagosur njërin prej zyrtarëve të policisë.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, ka njoftuar policia.
Zyrtarit policor thuhet se i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.