Shqipëria po përparon në procesin e integrimit evropian, me angazhim serioz për negociatat, ndërsa përparimi në sistemin e drejtësisë dhe rritja ekonomisë janë në drejtimin e duhur.

Këto janë pikat kryesore të progres raportit të Komisionit Evropian për Shqipëri, raporti i parë nga Brukseli pas përfundimit të fazës së parë të negociatave me procesin screening.

Progres raporti nis me një panoramë të përgjithshme të situatës në Shqipëri, teksa evidentohet fakti se tashmë vendi ka bërë konferencën e parë ndërqeveritare ne Brukselin dhe po ecën kënaqshëm në këtë drejtim.

“Pas Konferencës së parë Ndërqeveritare që hapi negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë në korrik 2022, qeveria ka rinovuar angazhimin e saj të përgjithshëm politik në rrugën e vendit në BE. Nën koordinimin e kryenegociatorit dhe strukturave të sapo reformuara të negociatave të BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit, i cili po ecën pa probleme, dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshëm në negociatat e anëtarësimit”, evidenton Komisioni Evropian.

Vlerësim shumë pozitiv Brukseli ka për avancimin në drejtim të një sistemi drejtësie të pavarur.
Komisioni evropian nënvizon edhe ecurinë shumë pozitive në reformën e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Nga 6 Tetor, 57% e dosjeve të vettingut të përpunuara kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje apo ndërprerjen e mandatit. Në qershor 2023, Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimi i Organizuar dënoi ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese me 6 muaj burg për deklarim të rremë dhe fshehje gjatë procesit të vetingut”, thuhet në raport.

Komsioni Evropian vlerëson ecurinë ekonomike të Shqipërisë, duke theksuar se ajo përballoi krizën që erdhi nga lufta në Ukrainë.