Nga Mero Baze/
Deri tani janë kryer prova për disa procese për “Ditën e Qametit”, e cila është dita kur mund të votohet për arrestin shtëpiak të Sali Berishës në Kuvend. Provat e para janë kryer për bllokimin e sallës në Kuvend. Aty është vepruar në dy fronte, në zënien e karrigeve të qeverisë dhe në përmbysjen e karrigeve të popullit deputet. Më efiçiente ka dalë kjo e dyta, pra mbledhja e karrigeve në një vend.
Por meqë herën e fundit që ndodhi kjo, vet deputetët socialistë përtonin t’i merrnin prapë, ekziston rreziku që kjo të ndodhë në “Ditën e Qametit”. Ndaj duhet shtuar dhe një lëndë ngjitëse, zamkë përzier me acid, që kush të ulet t’i digjet prapanica. Një tjetër provë është bërë me sulmin ndaj kartave të deputetëve dhe mikrofonit, por nuk ka rezultuar efiçiente, pasi për sektorin e grave kanë vetëm Albanën kurse për sektorin e burrave vetëm Flamurin dhe Palokën. Nuk ja dalin dot me aq. Duhet parë mundësia e një defekti qendror. Sot ishte dita e provës gjenerale për pushtimin e sallës. Flamur Noka ka arritur dy rekorde, për ngjitje nga kangjellat dhe ngjitje nga dritarja.
Në fillim dukej pa kuptim pse u ngjit edhe nga dritarja, pasi më parë hyri një herë brenda nga kangjellat, por pastaj u zbulua e vërteta. Berisha e falenderoi për ngjitjen nga kangjellat, por i tha se duket sikur imitojmë Selam Musain “me xhinse mbi tela”, dhe ai është nga fshati i Gramoz Ruçit, ndaj na duhet një stil i ri pushtimi. Atëherë Flamuri doli përsëri jashtë dhe ndërsa rojet u afruan tek kangjellat, ai u ngjit nga dritarja. Edhe Salianjit i ëmbëlsoi shumë ngjitja, dhe desh ta përsëriste ngjitjen nga dritarja për herë të dytë, por Flamuri i tha se nuk ka më njeri të të vërë duart nga poshtë në të pasmet, dhe ai hoqi dorë i dëshpëruar. Sidoqoftë prova për futje nga dritaret dhe kangjellat u kompletua.
Praktikisht deri tani grupi parlamentar i Berishës ka përvojë për marrje pushteti duke zënë karriget e ministrave, përmbysje pushteti duke përmbysur karriget e ministrave dhe zaptim pushteti duke hyrë nga kangjellat dhe dritaret. Ende nuk është e qartë nëse Doktori do të urdhërojë ndonjë ushtrim tjetër më të vështirë, siç është hedhja nga kati i dytë apo kati i tretë i Kuvendit në rast rreziku, apo prova për të qëndruar me bombël tymuese në dorë pesë minuta pa marrë frymë, pasi mund të jenë mjetet ekstreme të ditës së fundit, para se SPAK të marrë vendimin që Berisha duhet të dënohet me arrest shtëpie dhe vendimi duhet të kalojë në Parlament.
Pra e gjithë përgatitja po bëhet për atë ditë qameti. Këto prova gjenerale që shikoni, këto sakrifica për të rrezikuar dhe xhinset e shtrenjta të Flamurit, apo mbetjen e shenjave të gishtave në pantallonat e bardha të Salianjit, në fakt bëhen për ditën kur të shkojë urdhri për Sali Berishën në Kuvend, që grupi të jetë i stërvitur për ta mbrojtur që të mos votohet. Deri tani janë dhënë prova se mund të përballohen akte të pashembullta sakrifice. Problemi është se nuk ka masivitet dhe vetëm dy- tre deputetë po shquhen. Në ditët në vijim do punohet për masivizimin.
“Dita e Qametit” nuk është larg. Nga ora në orë, maksimumi në ditë, SPAK mund t’i kërkojë Kuvendit të forcojë masën e sigurisë për Sali Berishën deri për arrest shtëpie. Atëherë do ta kuptoni sa vlerë ka kjo stërvitja dy javore e grupit të deputetëve në sallën e Kuvendit dhe zyrat e tij. Berishën vërtet mund të mos e mbrojnë dot me trupat e tyre, por me këtë që po bëjnë, vendin e deputetit e kanë të mbrojtur nga Berisha, pasi kanë dhënë prova që janë gati të vdesin për të. I vetmi merak që u mbetet është se po vdiqën nuk ka kush të vdesë për dhëndrin dhe djalin që janë në radhë për burg.