Netët janë të gjata dhe moti është i ftohtë, që do të thotë se zyrtarisht jemi në sezonin e verës së kuqe. Por për shumë persona konsumi i verës mund të shkaktojë dhe dhimbje koke. Shumë njerëz dhe shkencëtarë, e kanë ditur që pas verës, ndoshta dhe pas 30 minutash, fillon një dhimbje koke, por së fundmi kanë zbuluar arsyen pse. Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë, Davis, kanë zbuluar se një flavanol, ose lëndë ushqyese, e gjetur në verën e kuqe ndalon trupin të përpunojë siç duhet alkoolin. Ironikisht flavanoli në fjalë, quercetin, konsiderohet një antioksidant i mirë, madje është i disponueshëm si një shtesë shëndetësore. Por kur përpunohet ose metabolizohet me alkool, ai kthehet në një të keqe.

“Kur hyn në qarkullimin tuaj të gjakut, trupi juaj e shndërron atë në një formë tjetër të quajtur glukuronid kuercetin”, tha kimisti i verës dhe autori korrespondues Andrew Waterhouse, profesor emeritus në Departamentin e Vreshtarisë dhe Enologjisë në UC Davis. “Në atë formë, ai bllokon metabolizmin e alkoolit, kjo rezulton në grumbullimin e toksinës acetaldehide, dhe kjo çon në dhimbje koke”, thotë autori kryesor Dr Apramita Devi. “Acetaldehidi është një substancë e njohur toksike, irrituese dhe inflamatore. Studiuesit e dinë se nivelet e larta të acetaldehidit mund të shkaktojnë skuqje të fytyrës, dhimbje koke dhe vjellje”, tha Dr Devi.

Disa njerëz janë gjenetikisht më të aftë në metabolizmin e acetaldehidit, gjë që ndihmon për të shpjeguar pse jo të gjithë preken në të njëjtën mënyrë. Për shembull, në rreth 40% të popullsisë së Azisë Lindore, enzima që zbërthen acetaldehidin nuk funksionon siç duhet. “Ne sugjerojmë që kur njerëzit e ndjeshëm konsumojnë verë me sasi edhe modeste të kuercetinës, ata zhvillojnë dhimbje koke, veçanërisht nëse kanë një migrenë ekzistuese ose një gjendje tjetër primare e dhimbjes së kokës”, tha bashkautori Morris Levin, profesor i neurologjisë dhe drejtor i Qendrës së Dhimbjes së Kokës në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko. Verërat e ndryshme të kuqe kanë nivele të ndryshme të kuercetinës flavanol, në varësi të mënyrës se si prodhohet vera. “Kuercetina prodhohet nga rrushi në përgjigje të dritës së diellit,” tha profesori Waterhouse. “Nëse rritni rrush me grupe të ekspozuara, siç bëjnë në Luginën Napa për kabernetet e tyre, ju merrni nivele shumë më të larta të kuercetinës. Në disa raste, mund të jetë katër deri në pesë herë më i lartë”.

Verërat e vjetra gjithashtu duket se kanë nivele më të larta të kuercetinës, ndërsa verërat pinot noir dhe cabernet sauvignon, kanë më së shumti flavanol në përgjithësi.
Ekipi tani do të fillojë të hetojë dhimbjet e kokës së shkaktuar nga vera e kuqe duke përdorur verëra që përmbajnë nivele të ndryshme të kuercetinës, për të vërtetuar teorinë e tyre dhe për të kuptuar më mirë pse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj tyre se të tjerët. Ata do të vëzhgojnë nëse enzimat e njerëzve që vuajnë nga dhimbje koke të verës së kuqe frenohen më lehtë nga kuercetina, apo kjo popullatë ndikohet më lehtë nga grumbullimi i toksinës acetaldehide. “Ne mendojmë se më në fund jemi në rrugën e duhur drejt shpjegimit të këtij misteri mijëvjeçar”, tha profesor Levin.