Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” njoftoi sot se medikamenti “Asparaginaza” prej 1 viti është zëvendësuar me medikamentin “Ervinase” që është një alternativë.

Në një reagim ndaj një lajmi të qarkulluar në media për mungesën e medikamentit Asparaginaza, QSUT njoftoi se prej 1 viti ky medikament është zëvendësuar me medikamentin Ervinase që është një alternativë më e mirë, e sugjeruar nga mjekët përkatës dhe përdoret për trajtimin e fëmijëve të prekur nga leuçemia.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri me dije se personeli i saj edhe me mbështetjen e MSHMS, e ka siguruar medikamentin i cili në vijim do të jetë në përdorim të pacientëve.

Në reagimin e saj, QSUT siguron opinionin publik se furnizimi në vijim me këto medikamente bëhet konform të gjitha procedurave ligjore në fuqi, si dhe protokolleve të veçanta të transportimit dhe ruajtjes së barit.