Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Samitin e Tretë të Diasporës, të mbajtur në Tiranë. Ai tha se samiti bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen pavarësisht bindjeve politike.
“Përtej smbolikës ky takim dy ditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët. Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike”- u shpreh kryeministri.
Mes të tjerash, kreu i ekzekutivit, përmendi edhe rastin e kualifikimit të kombëtares shqiptare në Euro 2024 si shembull të suksesit të arritur si pasojë e bashkimit të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit, ndodh pak ditë pasi njëshat e Shqipërisë dhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës por na treguan se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë forcat dhe kemi një strategji për të fituar. Së bashku, asnjë objektiv nuk e kemi të paarritshëm dhe asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse jemi të vendosur. Nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenar si shqiptarë sepse përmenden me shumë admirim, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund t’ua këshillonin dhe e kanë bërë realitet”-tha Rama.