Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në takimin e liderëve të pesë vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore, i cili po zhvillohet në Shkup, Maqedoninë e Veriut me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Në nisje të takimit, Kryeministri Rama u drejtua me një përshëndetje:
“Mirëdita! Së pari dëshiroj që në gjuhën shqipe t’u uroj të gjithë shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut ditën bekuar të Alfabetit. Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që sot mblidhemi këtu në këtë moment jo të lehtë për të gjithë, një moment luftërash dhe krizash të rënda, që kanë potencialin të rrezikojnë drejtpërdrejtë edhe anën tonë, një moment kur këtu në rajon të gjithë duhet të fokusohemi tek mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur, që është jo pak, një paqe e brishtë e përgjithshme, po sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare dhe të qëndrueshme.”