Emri i divës së Showbizit, Elvana Gjata, që më shumë jemi mësuar ta shohim në kronikat e spektakleve, sa herë del ndonjë klip i ri, këtë herë është rishfaqur, pas plot pesë vitesh në lajmet e kronikës së zezë. Papritmas shtypi u mbush me titujt: “SPAK fillon hetimet për Elvana Gjatën”. Shkak u bë nxjerrja në publik e përgjimeve të telefonave të kriptuar SKY, në bisedat përmes të cilave i dashuri i këngëtares, Elvis Mata i thoshte një bashkëbiseduesi se do ti dërgonte gjysëm milioni Euro nga llogaria e Elvanës.

Një ditë më pas u botua një letër e shefit të SPAK, Altin Dumani ku 36 vjeçarja, bija e Fatmirit dhe Donikës shpallej si një person nën hetim. Edhe këtë herë ashtu si në vitin 2018 shkak u bë lidhja e saj dashurore. Pra i dashuri i saj që akuzohet si bosi i një rrjeti të madh trafiku ndëkombëtar narkotikësh, mund të ketë përdorur llogarinë perzonale të këngëtares. Edhe para pesë vitesh ishte po Elvis Mata, që e implikoi atë në një sherr.

Në 4 tetor 2018 në mbrëmje, këngëtarja u përfshi në një sherr me armë mes të dashurit të saj dhe një grupi rival, në krye të të cilit qëndronte ish i tmerrshmi Ervis Martini. Masakra që përfundoi me një të vdekur, qe mënyra më e keqe e mundshme për ta bërë publik emrin e “të fejuarit” të saj, që diva atëhere e sapo hyrë në të 30-at e ruante me fanatizëm. Ajo e kishte përmendur vetëm një herë publikisht atë, po atë vit, në emisionin e Ermal Mamaqit. Ajo kishte përdorur një frazë sa diskrete po aq edhe ledhatuese: “Zoti është treguar shumë i mirë me mua…’

Me siguri, këngëtarja që ishte ndarë nga Flori Mumajezi në 2016, duke e këmbyer në muzikë me Piro Çakon dhe në zemrën e saj me Elvis Matën, kishte të gjitha të drejtat e botës të besonte se perënditë po kujdeseshin për të.

Lidhja e re e dashurisë i kishte hapur të gjitha portat. Ajo shpalli largimin drejt Amerikës për të nisur një karrierë ndërkombëtare, herë pas here postonte në rrjetet sociale foto me këngëtarët të famshëm të botës dhe habiste fansat e saj me pastime nga jeta e saj luksoze. Mediat raportonin: “Në hotelin ‘’Shangri-La Hotel’’ të Parisit, Elvana ashtu si Beyonce ka rezervuar suitën në katin më te lartë të tij, pamja e së cilës e bën gati të prekshe kullën Eiffel. Në hotelin në fjalë çmimi për një natë kap shifrën e 19,000 dollarë, që nënkupton se është destinacioni i preferuar i pasanikëve nga e gjithë bota”.

Edhe kur u rikthye në Tiranë, pompa e paraqitjeve të saj, qe në lartësinë e pasurisë së njeriut të saj të zemrës, Elvis. Ai i kishte hapur biznesin e fustaneve “Altar” dhe që i bënte dhuratë fundjava dashurie që nuk kushtonin më pak se 30 mijë euro. Sikur mos mjaftonin postimet në instagram për unazën e fejesës me diamante dhe pritshmërinë me albumin e rrallë që do nxirrte në treg pas endjeve nëpër botë, Elvana organizoi një festë madhështore-koncert për 31 vjetorin e saj ku ishte grumbulluar pa përjashtim e gjithë bota e shoë bizit shqiptar. Bosë të mediave, futbollistë, aktorë, këngëtarë, gazetarë, politikane dhe bashkëshortët e tyre.

Duke kaluar tashmë të 30, Elvana Gjata nuk qe më ajo vajza e ndrojtur, që ishte çapitur një ditë rastësisht drejt NRG Radio, ku kish njohur Flor Mumajezin, ku kishte siguruar disa dalje në Zonë e Lirë e Arian Çanit, që e bënin po aq të njohur në publik, sa edhe aftësitë e saj vokale.

Ajo tashmë qe një divë e vërtetë. Tirana artistike dhe jo vetëm ishte nën këmbët e saj.

Zoti i kishte falur një zë të bekuar dhe një pamje për ta pasur zili, ndërsa i dashuri i saj milionat e nevojshme që askush si fiton dot me punë, për ta maksimalizuar suksesin që i siguronin ato. Lidhja e saj dashurore u përfol edhe në periudhën kur ajo mori pjesë në festivalin e këngës. Thuhej se Elvisi përdori të gjitha mjetet që ka në dorë një njeri super i pasur që ajo të fitonte çmimin e parë dhe të shkonte drejt Eurovizionit. Por pas një puçi të jurisë për të cilin gojët e liga përmendën edhe një sherr mes Vera Grabockës dhe Arilena Arrës, kjo e dyta mori çmimin e parë. Me gjithë bujarine e shfrenuar të partnerit Elvana duk u ngjit dot në skenën e festivalit Evropian të 2020-ës.

Por pavarësisht nga ndonjë humbje aksidentale këngëtarja e kishte rehabilituar plotësisht imazhin e saj. Ajo korri një sukses të paparë me filmin komercial “Dy gisht mjaltë” përkrah Ermal Mamaqit dhe luante ikonën bamirëse duke shpërndarë supë falas përkrah Erion Veliajt.

Ajo e mbështeti edhe publikisht kryebashkiakun e Tiranës duke i ftuar fansat e saj të votonin për të në zgjedhjet e fundit dhe kjo iu shpërblye me një koncert madhështor në Air Albani ku nuk dihet nëse sponsori kryesor ishte Lali apo Elvisi.

Me të gjitha këto dukej se këngëtarja e kishte lënë pas hijen e errët që la në imazhin e saj, përleshja me armë me një viktimë në tetorin e 2018. Polemika që krijoi prezenca e saj në atë skenë krimi zgjati për ca kohë. Ajo u zhvillua rreth një artikulli të gazetarit Mentor Kikia që Atë kohë ngriti pyetjen: “A është vallë rastësi që shumë prej emrave më në zë të muzikës shqiptare janë ose vajza të lidhura me djem të botës së krimit, ose meshkuj që i kanë bërë komisariatet e policisë si shtëpinë e dytë”?

Aq e largët dukej masakra në bllok sa disa vite më pas një nga infuenceret më me peshë në këtë vend, mike e Elvanës, Dalina Buzi, kur Elsa Lila u arrestua për drogë bëri një paralelizëm në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel: “per nivelet e “ndershmerise” sipas opinionit tone publik: Nese i dashuri yt futet ne burg per droge ti je k*rve qe te mban me lek”. Sipas Buzit, për popullin kur një vajzë merret me drogë nuk përbën problem, ndërsa nëse i dashuri i saj e bën këtë gjë ajo konsiderohet k*rvë.

“E rendesishme eshte qe ky lajm si ka bere pershtypje fare popullit tone. Madje kane ndjere keqardhje se “fundja pune po bente” punë po bënte.

Por sa do të duket sikur harrohet, sado ta rekesh ta kamuflosh, jeta që bën realisht të shfaqet një ditë në sipërfaqe. Kështu i ka ndodhur dhe Elvana Gjatës për lidhjen që ajo vazhdon të mbajë me njeriun “me të cilin e ka bekuar zoti”. Emri i saj doli në përgjimet franceze që i kanë sjellë SPAK-ut përmes bisedave të zbardhura të Elvis Matës dhe Elvanës s’i mbetet gjë tjetër veçse të nis një operacion të ri të përmirsimin të imazhit, ndofta me një film të ri.