Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilluan një vizitë zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë spanjolle, në Madrid, Spanjë. Delegacioni u prit në takim nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Kombëtare, Francisco Pardo Piqueras dhe drejtues të lartë të Policisë spanjolle. Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, bazuar në profesionalizëm, besueshmëri dhe shtim të hetimeve dhe të operacioneve të përbashkëta. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes 2 policive, për goditjen e grupeve kriminale.
Gjithashtu u theksua se, është domosdoshmëri forcimi më tej i bashkëpunimit në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është një sfidë shumë e madhe, kundër narkotikëve, trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, ku forcat policore janë të impenjuara, kundër krimeve ekonomike dhe financiare, që kanë lidhje me pastrimin e parave, sekuestrimit të aseteve kriminale, ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, si në planin kombëtar, ashtu edhe në planin ndërkombëtar, krimeve kibernetike dhe terrorizmit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë Kombëtare, Francisco Pardo Piqueras vlerësoi bashkëpunimin profesional, korrekt dhe të besueshëm me Policinë shqiptare, si dhe rezultatet e arrira nga Policia shqiptare, muaj pas muaji, në drejtim të goditjes së krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, duke vepruar si e barabartë me policitë homologe, në shumë operacione ndërkombëtare, si dhe duke u bërë pjesë e skuadrave hetimore, tregues këta të rritjes së besueshmërisë dhe profesionalizmit të Policisë shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Spanjës, duke shprehur falënderimet për ftesën, theksoi se nuk e konsiderojnë Shqipërinë si një vend të vogël, pasi për ta është një vend mik dhe vuri në dukje se si nga Policia, ashtu edhe nga Ministria e Brendshme e Spanjës, vlerësohet çdo përpjekje që po bën Shqipëria për t’u bërë pjesë e BE-së. Gjithashtu, drejtori i përgjithshëm i Policisë Kombëtare, Francisco Pardo Piqueras i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gatishmërinë për ta forcuar më shumë bashkëpunimin mes 2 policive, në të ardhmen.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku falënderoi homologun e tij, për vlerësimin dhe për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe e garantoi atë se Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur që të forcojë bashkëpunimin me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, shkëmbimin e informacioneve, shtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe të operacioneve të përbashkëta, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në fund të takimit u dakordësua që çështjet që u diskutuan do të konkretizohen me veprime konkrete, mes departamenteve përkatëse, sipas fushave që ato mbulojnë.