Është zhvilluar në Tiranë Samiti i Diasporës. Në fjalën e tij ministri Igli Hasani u shpreh se ky është një moment domethënës për marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe arbëresheve.

Gjithashtu ai vlerësoi edhe përpjekjet e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës e kujtesës kombëtare të shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e ministrit Hasani

I nderuar z. President,

I nderuar z. Kryeministër

Të dashur miq arbëreshë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në Ditën Arbëreshe. Faleminderit të gjithëve që jeni këtu me ne, sot.

Kjo ditë shënon një moment shumë domethënës në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.

Është po ashtu, një rast për të kujtuar me mirënjohje kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë arbëreshët në ruajtjen e gjuhës e kujtesës kombëtare të shqiptarëve. Ishin komunitetet arbëreshe vatrat ku u ndezën fillimisht shkëndijat e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare. Vatra si kolegji i Shën Benedetit të Ulanos apo i Shën Adrianit, ku mori udhë rizgjimi i vetëdijes sonë kombëtare.

Të dashur miq,

Zgjodhëm ta mbajmë Ditën Arbëreshe sot, në Ditën e Alfabetit, sepse 22 nëntori mbart një simbolikë të veçantë. Shkëndijat e rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare që erdhën nga arbëreshët, u ndezën në përpjekjet titanike të patriotëve dhe dijetarëve tanë për përcaktimin e çёshtjes së ndërlikuar të alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 115 vjet më parë.

Kongresi i Manastirit është, pa dyshim, një monument në historinë e popullit shqiptar, i lidhur ngushtë me procesin e formimit të ndërgjegjes dhe të unitetit kombëtar.

Prandaj është me vend që sot të nderojmë gjithashtu punën e palodhur të arbëreshëve për gjuhën e kujtesën, këtë traditë që vazhdon edhe sot falë përkushtimit të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali, nga l’Orientale e Napolit e deri në Palermo, nga Kozenca e deri në Romë e Venecie, nga Salento e deri në Bolonjë. Këto katedra janë laboratorë të mirëfilltë të kërkimit shkencor për gjuhën shqipe e asaj arbëreshe në veçanti. Drejtuesit e tyre meritojnë vlerësimin tonë maksimal dhe një falënderim të sinqertë nga zemra.

Më lejoni po ashtu, të shpreh falenderimet e mia edhe për të gjithë ata kryetarë të komunave arbëreshe, këshilltarë, organizata, për Fondacionin Solano, Fondacionin e Komunave Arbëreshe të Kalabrisë, Federatën e Shoqatave Arbëreshe dhe të gjithë ato gra e burra që punojnë me ide dhe nisma konkrete për të promovuar zhvillimin kulturor, gjuhësor, ekonominë dhe turizmin e Arbërisë italiane.

Ne jemi me ju dhe ne duam të punojmë bashkë me ju për t’ju mbështetur në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës, të identitetit e kulturës arbëreshe, që përbëjnë një pasuri të çmuar të të gjithë shqiptarëve.

Dita Arbëreshe është një ftesë për të eksploruar bashkërisht mënyrat sesi mund të bëjmë më shumë në çdo fushë, që nga gjuhësia, historia e kultura, e deri tek shkëmbimet apo partneritetet mes institucioneve e organizatave të shoqërisë tonë civile.

Si mund të punojmë së bashku në projekte të një rëndësie të veçantë siç është regjistrimi i “Motit të Madh” në listën e UNESCO-s, –  ku Shqipëria ulet sot në Bordin Drejtues – për të gjetur format më efikase të ndërveprimit mes bashkive tona e komunave arbëreshe, apo për të vendosur e konsoliduar lidhjet mes komuniteteve arbëreshe e komunitetit shqiptar të emigruar ndër vite në Itali.

Është kjo mbështetje dhe investim tek lidhjet e gjithanshme njerëzore, institucionale, ekonomike, akademike e të shoqërisë civile, garancia më e mirë e ruajtjes të gjuhës dhe kulturës arbëreshe për brezat që do të vijnë. Breza që nuk do të na e falnin nëse ne nuk veprojmë sot me ide e projekte të qarta për të ruajtur këtë thesar me të cilin krenohen shqiptarët kudo ku janë.

Ky është një angazhim solemn. Shqipëria ka sot mundësi reale të bëjë atë që për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij nuk ka pasur mundësinë ta bëjë: t’ju mbështesë me forma e mënyra konkrete. Sigurisht në bashkëpunim e partneritet të ngushtë me Italinë e cila, historikisht ka treguar për komunitetet arbëreshe një vëmendje e kujdes të veçantë, dhe për këtë meriton mirënjohjen tonë maksimale. Jam i bindur që diskutimet që keni mbajtur sot në panele do t’i shërbejnë këtij synimi të përbashkët dhe ju siguroj për angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të qenë përherë në krah tuaj.