Hyrja e Ish-Pallatit të Kongreseve u pushtua nga shqiptarë të ardhur prej shumë vendeve të botës në të tretin Samit të Diasporës të cilin ministri punëve të jashtme Igli Hasani e quajti “si mesazhin më të qartë të bashkimit”. Presidenti Bajram Begaj dhe ajo e Kosovës Vjosa Osmani e vunë theksin në nevojën e përfshirjes të diasporës në proceset demokratike dhe në të investuarit në vendlindje.

Kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë lidhje me Diasporën, pasi fuqizimi i kësaj lidhje, ndërveprimi me Diasporën, sipas tij, është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe për të fuqizuar besimin se së bashku ne mund të arrijmë ta çojmë Shqipërinë dhe t’i ngremë shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë.

“Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, kanë diçka për të dhënë për mënyrën sesi duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta”- tha Rama.
Në këtë Samit, zëri shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut erdhi përmes Ali Ahmetit, Nik Gjeloshajt dhe ish-kryeministrit Dritan Abazoviç.