Pas katër ndeshjeve pa fitore, Milani ia doli të marrë tri pikë duke mundur 1-0 Fiorentinën në “San Siro” për javën e 13-të në Serie A. Sfida ishte me dy fytyra për kuqezinjtë që shënuan me Theo Hernandez në minutën e 45+2 nga penalltia. Në pjesën e dytë ishte Fiore që rrezikoi në disa raste, me Maignan që mbajti të tijtë në lojë.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli vendosi të hedhë në fushë Francesco Camardan në vendin e Jovic në minutën e 83. Djaloshi debuton në Serie A duke qenë lojtari më i ri në historinë e kampionatit. Francesco Camarda debuton në Serie A në moshën 15 vjeç e 260 ditë dhe kalon Wisdom Amey (15 vjeç e 274 ditë). Ky po është një rekord.

Pas katër ndeshjeve “jo”, Milan rikthehet te tri pikët dhe shkon në vendin e tretë me 26 pikë.