Intervistë me ambasadorin Zef Mazi, ku tregohen të gjitha procedurat e integrimit të Shqipërisë në kuadër të zhvillimeve brenda BE-së. Pse integrimi është domosdoshmëri, por ndërkohë dhe një sfidë e madhe për vendet ballkanike? Situata është disi e vështirë, kur kujton se ka divergjenca jo të vogla mes vendeve anëtare…

Intervistoi Ben Andoni

Ka një vështrim tejet realist të ambasadorit Zef Mazi, që shërbeu si Kryenegociator i Shqipërisë me Bashkimin Evropian për anëtarësimin në BE. Në këtë intervistë për Javanews, ai shpjegon procedurat e integrimit por njëkohësisht edhe divergjencat jo të vogla. Dhe, diku edhe e shpjegon: “Unë nuk mendoj se do të kapërcehen lehtë kufizimet ligjore që janë ngritur kohët e fundit për integrimin me faza; ndonëse nuk ka të tilla, ato krijohen”. Ish-asistenti Special (2011-2018) i Drejtorit të Përgjithshëm për Strategji në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tregon se pa një lloj debati të sinqertë politik dhe strategjik, që të reflektojë çfarë është vendosur dhe kryer sipas strategjisë ekzistuese, nuk do mund të merren vendime as për rishqyrtimin e buxhetit në periudhën e ndërmjetme, dhe as për Ukrainën, një nga problemet më të mëdha për Evropën në ditët e sotme. Shqipëria këto ditë e mbaroi me sukses fazën e shqyrtimit analitik me BE-në që kish filluar në shtator 2022. Tani nis një sfidë, që nuk do jetë aspak e lehtë, por ku do të kuptohet veç aftësive të administratës shqiptare edhe predispozita e vërtetë e autoriteteve të Brukselit…

Ka disa kohë që nuk keni folur për BE-në. I kemi të qarta mendimet që keni shprehur më parë për zgjerimin: BE do thotë fjalë të bukura për të na mbajtur ngrohtë, por në distancë sigurie e do dëgjojmë propozime grandioze. Paketa e zgjerimit e BE është paraqitur. Si e shihni ju, ka vërtetë shanse të dëgjojmë çfarë presin vendi dhe njerëzit tanë, dhe çdo të thotë kjo?

“E gjithë klima dhe ambienti ku sot operohet ka ndryshuar. Duhet shikuar më gjerë kuadri, përfshirë çështjen e rolit, të peshës politike dhe ekonomike të BE-së, në arenën ndërkombëtare dhe autonominë strategjike të BE-së. Shtrohet pyetja: i ka kapacitetet BE-ia për të menaxhuar 9 vende të tjerë – 6 nga Ballkani Perëndimor dhe 3 nga Lindja?

Pa hyrë në hollësi të buxhetit, zgjerimi do ketë sfida, do ofrojë edhe mundësi. Ai do ketë kosto, rreziqe, përfitime për shtetet anëtare. Edhe për ata që do hyjnë, kur të hyjnë. Zgjerimi do ketë ndikim të ndjeshëm në buxhet dhe në një numër politikash të BE-së, veçanërisht në Politikën e Përbashkët Bujqësore dhe atë të Kohezionit. Sfidat nuk do mund të përballohen pa bërë amendime dhe rregullime të caktuara. Qëndrimet dhe propozimet do jenë të ndryshme, në vartësi të intensitetit të impaktit të zgjerimit ndaj politikave të ndryshme të BE-së. Është e natyrshme që BE-ia të mendojë mirë për zgjerimin e ardhshëm si dhe për pasojat. Më duket se po ecet drejt një “emëruesi më të ulët të përbashkët”. Nëse është kështu, kjo nuk do jetë në interes të Shqipërisë.

Pas paraqitjes të paketës të zgjerimit nga Komisioni, nuk ka pasur debate për paketën. Nuk mendoj se do ketë midis periudhës që na ndan nga mbledhja e Këshillit Evropian në dhjetor. Ajo paketë nuk përmban propozime specifike sesi do të zbatohet praktikisht “integrimi gradual”, që flitet tani, por që bart rreziqe jo të vogla. Ka pasur një “non-paper“ (theksoj “non”) me disa propozime nga Austria dhe 6 shtete të tjerë, ku përfshihet edhe Greqia. Vendet anëtare po mendojnë tani rreth “Integrimit me faza”. Ende nuk ka një përcaktim të qartë çfarë do të thotë kjo, cila mund të jetë një nga format e tij, sepse këto terma nuk ekzistojnë në Traktate. Fazat e integrimit janë të përcaktuara, ato njihen.

Reforma do ketë ndikim në shtetin e së drejtës, vlerat e BE-së dhe besimin reciprok (baza Neni 49 i Traktatit të BE-së), që bazohen në liri, siguri dhe zbatim ligji. Reforma do ketë ndikim te tregu i brendshëm, tek kapaciteti vendim-marrës i BE-së, etj. Do bëhet më e vështirë vendim-marrja, veçanërisht në ato fusha ku kërkohet vendim unanim. Ka një propozim franko-gjermano për reformën dhe zgjerimin, ka edhe dhe një pozicion gjerman. Bëhet fjalë për federatë, për mospasje më shumë komisionerë (për kandidatët?), për votim jo konsensual, për reformë dhe zgjerim, të lidhura, për aftësitë absorbuese të BE-së, etj. E njëjta gjë vlen edhe për politikat dhe buxhetin. Anashkalohet Traktati i Lisbonës që është i mjaftueshëm për të menaxhuar zgjerimin me Ballkanin Perëndimor. Lidhja e reformës me zgjerimin është artificiale, politike. Teknikisht dhe ligjërisht, kuadri aktual është i mjaftueshëm për ta trajtuar si duhet çështjen. Nuk është aspak bindëse të dëgjohet se nevojitet një ribalancim politik midis Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve lindorë. Kjo do të thotë – shtyrje – për Ballkanin Perëndimor, sepse kuptohet që nuk mund të ketë hapje negociatash për Ukrainën në dhjetor, edhe pse disa ne BE i mëshojnë me forcë.

Pa debat politik dhe strategjik, që të reflektojë çfarë është vendosur dhe kryer sipas strategjisë ekzistuese, nuk do mund të merren vendime as për rishqyrtimin e buxhetit në periudhën e ndërmjetme, dhe as për Ukrainën. Duhen diskutime të mëtejshme për gjithë gamen e çështjeve në nivelin e Këshillit Evropian. Nivelet e mëposhtme do duhet të punojnë nën drejtimin politik të Këshillit. Pra, do jetë tepër e vështirë. Nënkuptohet se që të bëhen ndryshimet kërkohet rishikim i Traktatit. Vetë ky rishikim kërkon konsensus!”

Sa njihen këto ngërthime problematike të brendshme bë BE?

“Unë këtë nuk e di, por mund ta hamendësoj. Shqipëria këto ditë e mbaroi me sukses fazën e shqyrtimit analitik me BE-në që kish filluar në shtator 2022. Kjo është njëra fazë nëpër të cilën kalojnë kandidatët. Vendet kandidate kuptoj se kanë ecuri modeste në procesin e integrimit. Kjo është e vërteta, pavarësisht retorikës për arsye të brendshme politike. Ecuria modeste, plus mendimet e shteteve anëtare, më bëjnë të mendoj se nuk pritet të ketë ndonjë vendim apo zhvillim dramatik për zgjerimin deri në fundviti!

U fol me të madhe për „Paktin e Rritjes” (Groëth Pact), që u propozua për Ballkanin Perëndimor. Krahasuar me fondet e BE-së për Ukrainën, sasia e parave për këtë Pakt është krejt modeste. “Pakti i Rritjes” do jetë pjesë e Rishikimit të Buxhetit të BE-së në periudhën e ndërmjetme (MFF). Në Këshill, në qershor 2020, ishte vendosur që nuk do ketë rishikim të tillë! Por tani do ketë (shënoj se MFF kërkon konsensus në Këshill dhe miratim nga Parlamenti Evropian.)

Duket se do bëhet për të mbuluar dështimet e drejtimit të Ursula von der Leyen, edhe se mësohet që sasia e parave të miratuara për shtatë vjet është mbaruar për dy vjet e gjysmë! Pra, burime financiare për këtë Pakt nuk ka realisht. Gjithçka do varet nga rezultati i debatit në Këshill për Rishikimin e Buxhetit në periudhën e ndërmjetme (që njihet si perspektiva financiare 7-vjecare e BE-së)”.

Si e shihni të ardhmen atëhere – gri, blu, rozë, pa ngjyrë, me shkresë?

“Ka sugjerime se duhet bërë një studim dhe parashikim strategjik, me hapa konkretë, mbi impaktin e pritshëm të zgjerimit ndaj politikave kyçe të BE-së përpara se të nisin diskutimet për reformat në kontekstin e procesit të zgjerimit. Kjo do i japë mundësi vendeve anëtare t’a shohin më qartë situatën, të analizojnë interesat e tyre, t´i vendosin gjërat në kontekst më të plotë dhe të mbajnë qëndrimet përkatëse. Hungaria, për shembull, ka mbështetur propozimin për “Paktin e Rritjes”, ndërkohë që pritet që gjatë negociatave ajo të kërkojë të rriten burimet financiare dhe të ketë një përqasje strategjike të qartë e të arritshme.

Në pranverën e vitit 2024 Von der Leyen do mbajë fjalën në atë që njihet si State of the European Union (Situata e Bashkimit Evropian). Se çfarë do përmbajë, çfarë mund të pritet nga ajo fjalë për reformën institucionale dhe rishikimin e politikës të BE-së, vetëm mund të hamendësohet! Ndoshta do ketë thjesht një vlerësim se çfarë impakti do ketë. Zakonisht ai vlerësim kryhet mbi propozimet e Komisionit.

Situata nuk është ashtu si dëgjohet në publik. Ka divergjenca jo të vogla. Unë nuk mendoj se do të kapërcehen lehtë kufizimet ligjore që janë ngritur kohët e fundit për integrimin me faza; ndonëse nuk ka të tilla, ato krijohen”.

Ku ndodhet realisht vendi ynë në këtë situatë? Është bërë edhe një takim mes BE-së dhe ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi dëgjuar asgjë për të.

“Shqipërisë ende nuk i është dërguar letra që e njofton për kriteret e hapjes të negociatave dhe paraqitjen e një harte (roadmap) me piketa, afate, çfarë duhet të bëjmë dhe kur. Edhe sikur të jetë gati, pa e kërkuar Brukseli, ajo hartë nuk mund të dërgohet. Presidenca Spanjolle di që ka përgatitur një projekt-letër, që nuk është miratuar ende. Ajo është bllokuar nga një shtet. Diskutimi javën që shkoi në COELA nuk e miratoi por e shtyu për mbledhjen e radhës më 29 nëntor. Deri në atë datë, shteti që e ka bllokuar “pret ndonjë lajm të mirë” (lexo: prej nesh). Nëse i shkon ky lajm, mundet që letra të miratohet dhe të dërgohet në COREPER. Kur miratohet në COELA, ajo futet në COREPER II si çështje që nuk ka kundërshtim, nuk kërkon diskutime të mëtejshme

Lidhur me kundërshtimin e një shteti, Gjermania mbështet hapjen e Grup-kapitujve 1 në fund të vitit për Shqipërisë duke mos u bllokuar nga asnjë shtet anëtar mbi bazën e mosmarrëveshjeve bilaterale! Këtu nuk ka asgjë të re, se BE ka një Direktivë që çështjet bilaterale nuk duhet të bëhen çështje të 27-shes. Rëndësi ka zbatimi i direktivës, që nuk ka ndodhur, nuk ndodh.

Maqedonisë të Veriut i është dërguar letra para dy javësh. Por asaj mund t`i dalë problemi i moskryerjes të amendimeve kushtetuese deri tani. Kjo kërkesë është bërë sine qua non para hapjes të procesit të negociatave për aderim në Konferencën e parë Ndërqeveritare në korrik të vitit 2022”.

Po për takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me BE?

“Ministrat e jashtëm të Ballkanit patën takim me BE para dy javësh. Vendet u përfaqësuan në nivele të ndryshëm –ministër integrimi në BE, Zv-kryeministër, ministër të jashtëm, zëvendësministër të jashtëm. Pikë kyçe në takim, sipas Borrelit, ishte linjëzimi me politikën e përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE dhe përzgjedhja strategjike e BE-së. U thanë fjalë të ngrohta, si hyrja në BE është garancia më e mirë, BE ndihmon të forcohet aftësia e qëndrueshmërisë dhe kapërcimit të vështirësive, ndihmon në fushën kibernetike, atë hibride, etj. U tha dhe se BE-ia është e gatshme të konsiderojë (theksoj fjalën “të konsiderojë”) opsione për ndihmë të mëtejshme.

Vareli nënvizoi se zgjerimi është kthyer në krye të rendit të ditës, BE-ia do të ofrojë sa më parë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor (lexo: se nuk ka?!), por rëndësi ka që kandidatët të japin rezultate, etj.

Rreth këtyre pikave pati diskutime nga vendet anëtare, folën edhe vendet kandidate. Më bëri përshtypje aspak pozitive qëndrimi i një anëtari të BE-së, një qëndrim jostrategjik, arrogancë politike, presion direkt, deri në nivel marrëzie, ndaj vendeve kandidate: vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dy opsione: BE-në ose Rusinë! Kjo është e padëgjuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ato ndërshtetërore! Ekzakt këtë qëndrim ka mbajtur BE-ia në vitin 2013 ndaj Ukrainës, që nuk u pranua nga ish Presidenti ukrainas Janukoviç. Pasoja çoi në katrahurën e tmerrshme që filloi në 2014, e që shohim të vijojë edhe sot në atë vend!

Borreli, ose unanimisht BE-ia, të thotë përmes një dokumenti zyrtar të miratuar nga 27 anëtarët pozicionin e tij për këtë çështje. Borreli duhet të thotë publikisht dhe se cili shtet i BE-së, në çfarë rasti, kur, i ka thënë një shteti tjetër anëtar të BE-së – ke dy opsione: ne ose Rusinë! Në cilin Traktat të BE-së, Direktivë, është e shkruar kjo?! Kësaj i thonë imponim dhe keqpërdorim maksimal i kandidatëve për në BE! Një presion dhe imponim i tillë ndaj shteteve të pavarura, sovrane, anëtare të OKB-së, që kanë dinjitet dhe integritet, edhe pse të vegjël, është krejtësisht i gabuar, i papranueshëm! Nuk di nëse ndonjë nga ministrat e pranishëm ka mbajtur qëndrim për këtë në atë mbledhje.

Nga ai qëndrim del se, në fakt, BE paska dy vlera: 1) politike, që do të thotë, bëni të gjithë ndryshimet politike siç iu themi ne, që nga sot dhe nesër, ne të bëjmë gjithçka që duam dhe si duam me ju; dhe 2) ekonomike, që do të thotë, bëni të gjithë ndryshimet e duhura në tërë fushën ekonomike që, para se të hyni, lere kur të hyni, ne t’i kemi dyert e hapura tërësisht që të bëjmë gjithçka që duam dhe si duam dhe të blejmë gjithçka që ju keni! Paradoksale, dëgjohet ndërkohë se procesi i zgjerimit do mbesë i bazuar tek merita e secilit (çka nuk zbatohet!). Prandaj duhen zbatuar reformat (shih dy vlerat e sapopërmendura lart) dhe zgjerimi do varet nga suksesi. Kjo do të thotë që, në çdo rast, mund të përdoret, “nuk është arritur suksesi që prisnim, ka ende mjaft punë për të bërë!

Prandaj, shoh të domosdoshme që ministri i jashtëm dhe kryenegociatori aktual të marrin leje dhe të dalin t’i shpjegojnë publikut zhvillimet. Njerëzit duhet të qartësohen me kohë për gjithçka lidhur me integrimin, si janë punët dhe çfarë duhet të presin. Kur zhvillimet mbahen mbyllur, brenda mureve të zyrave, kjo nuk ndihmon, nuk është rruga e duhur. Mbështetja e njerëzve për këtë proces është esenciale, kyç në çdo hap drejt BE-së. Ky është proces jo partiak, gjithëpartiak, mbipartiak. Në BE nuk futet partia në pushtet, por vendi”.

Në fillim të kësaj interviste përmendët vlerat, peshën e BE, si dhe strategjinë e autonomisë të BE. Keni parasysh kaq apo diçka më tepër?

“BE ka kohë që nuk merret seriozisht. Me situatën politike brenda BE-së, ajo nuk mund të ketë peshën që mendohet se ka në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo peshë, politikisht dhe ekonomikisht, po bie ndjeshëm. Mjafton të shohësh sesi reagon, ose si merret ajo me konfliktet dhe krizat globale dhe kupton goxha! Shumëçka që ka ndodhur këto vitet e fundit, në vijim edhe të viteve të mëparshëm, të çon tek pyetja: a e ka BE-ia në dorë fatin e saj?

Janë një numër elementësh që lidhen me vlerat: shteti ligjor, drejtësia, gjyqësori, familja e shëndoshë tradicionale, imigracioni ilegal, niveli i taksave, rritja e varfërisë, mungesa e tërheqjes të investimeve nga të gjithë krahët, të drejtat themelore, siguria, etj. Drejtimi i BE-së, pa një strategji koherente të re, ndodhet nën dominimin e burokratëve të pazgjedhur, me një Komision që, sa kuptoj, është kthyer në një organizëm politik pa mandatin e duhur. Ndërkohë që pesha po i bie, BE lufton me veten për zgjerimin! Sigurisht që kjo ka ndikim në marrëdhëniet dhe politikat ndërkombëtare.

Këto çështje duhen diskutuar dhe debatuar hapur në forume profesionistësh dhe ekspertësh me përvojë, njohës të mirë nga fryjnë erërat, jo me emërtesa rastësore politike. As me fjalim(e) të një drejtuesi apo të disave, ku thuhen fjalë të bukura, fjalë që duhet dhe duan të dëgjojnë, për të qenë politikisht korrekt”. (Javanews)