Anëtari i Kryesisë në PD, Azgan Haklaj ka komentuar arrestimet e fundit në vend, pas operacionit me urdhër të SPAK. Haklaj tha për Dritare TV se një prej të arrestuarve, Erzen Breçani është edhe krahu i djathtë i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Haklaj tregoi një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitet 2000 në Tropojë, ku humbën jetën shumë protestues dhe i përfshirë ishte edhe Breçani.
“Breçani, krahu i djathtë i Berishës dhe Metës. Në vitet 2000, Meta pas ngjarje të 26 shtatorit dhe 28 nëntorit që çuan në vrasjen e disa protestuesve dhe plagosjen e 60 të tjerë, ai mori disa ekspedita ndëshkuese policeske ndaj malësisë së Gjakovës, Tropojës. Në këtë ekspeditë ishte edhe Breçani, policia futi në luftë shtetin me demokratët e Tropojës. Përplasja ishte e Metës me qytetarët e Tropojës, që protestonin kundër politikave të së majtës.
Dosja Tropoja ka mbi 200 vrasje, faturë e madhe që kanë paguar qytetarët. Tropoja ishte xhepi i fundit i lëvizjes për çlirimin e Kosovës, u bë pritës për vëllezërit e dëbuar. Tropoja ishte në betejë me shtetin e vet, Ilir Metën. Edhe unë jam arrestuar në mënyrë të dhunshme, jam masakruar si Krishti. Në arrestimin tim mori pjesë edhe RENEA, por edhe persona jashtë policisë. Por u vërtetua se arrestimi im ishte i paligjshëm”, tha Haklaj. Haklaj shtoi se arrestimi i Erzen Breçanit është goditja më e madhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e krahasuar atë si Prigozhini i Putinit.
“Breçani për shkak të bizneseve mbetet krahu i djathtë i Berishës e Metës, ishte në krye të sulmuesve të PD. Breçani, si Prigozhini i Putinit, është goditja më e madhe që ka marrë Berisha. Breçani ishte personazh i rëndësishëm për Berishën. Regjimi i Ramës, është konstruktuar nga binomi Rama-Berisha, në 2008 me ndryshimet kushtetuese, i është bërë atentat. Kemi një bashkëqeverisje të trekëndëshit të Bermudës, aleancë e kullave për të goditur SPAK-un.
SPAK është investimi më i rëndësishëm i SHBA, e vërtetojnë vendimet e fundit të Strasburgut për Gërdecin dhe 21 janarin. Mbështetje SPAK-ut ia jep vetëm Basha dhe PD, për çlirimin e demokracisë nga kthetrat e trekëndëshit. Hamasi i Berishës ekzekutoi vendimin që ka sunduar në 30 vite, duke djegur liderin e tavolinës së Bashës. Pse sulmoi PD-në dhe jo qeverinë. Ishte kod, Meta sulmoi SPAK-un po ashtu edhe Berisha. Demokratët e dinë që ishte skenë, pritej që Berisha të bëhej zhurmë dhe Rama të miratonte buxhetin”, tha Haklaj.