Nga Ardi Stefa/

Përpara 32 vitesh një plak i mençur, kur po i flisja për lirinë dhe demokracinë, nënqeshi dhe më tha: “Biri im, shqiptarët janë rrahur që kulishë!… Por mos pranoni më pak se sa meritoni, mos u kënaqni me më pak se sa dëshironi të merrni.”

Për ata që nuk e dinë, (sidomos për filozofët kaps), Sindroma e Stokholmit është situata ku një viktimë fillon të ketë ndjenja për dhunuesin dhe ta dashurojë atë.

Besoj se Sindroma e Stokholmit është diçka që ne përjetojmë në jetën tonë të përditshme. Shumë herë ne ekzistojmë dhe bashkëjetojmë në marrëdhënie dashurie, në të cilat jo vetëm që nuk fitojmë dhe nuk marrim dashuri, por ato na rrëzojnë dhe na lodhin, fizikisht dhe mendërisht.

Arsyeja? Çdo person merr dhe pranon dashurinë dhe vlerësimin që mendon dhe ndien se meriton. Nëse një person ka dhimbje dhe ndien se nuk është i denjë të jetë i dashur dhe i lumtur, ai ndihet i kënaqur me një përqindje të vogël, shumë të vogël dashurie dhe vlerësimi që merr.

Rezultati?

Besimi i rremë se askush nuk do ta dojë më shumë, ndërsa ai ulet dhe duron njerëz dhe situata që nuk i meriton. Të gjithë kanë të drejtë të duan, të japin e të marrin dashuri të vërtetë, autentike, vetmohuese!

Në rast se do ta shikojmë çështjen pak më gjerë: Sindromën e Stokholmit duhet ta studiojnë psikanalistët veçanërisht te ne shqiptarët.

Thyerja psikologjike e shqiptarëve nga regjimet e huaja dhe vetë shqiptare ka ndikuar aq shumë tek ata, sa iu ka humbur sensi i dallimit se cili është xhelati e cila viktima.

I duruam osmanët 500 vjet, pastaj i luftuam dhe me të ikur nga ne i kërkonim.

E mbajtëm Enver Hoxhën 45 vjet, pastaj e anatemuam, ndërsa sot e kërkojnë, çuditërisht ata që nuk kishin lindur në kohën e tij.

Sollëm “demokracinë” dhe pa u mbushur një brez njerëzor kemi nostalgji e kërkojmë diktaturën.

Luftuam për pronën, por e kërkojmë dëmin që i është bërë pronës, tek pengmarrësit e saj. Sepse, a mund të gjejnë shpëtim “viktimat e ligjit 7501” tek ish- arkitektët e të dy krahëve të këtij ligji famëkeq për shqiptarët dhe zhvillimet kapitaliste në dëm të ish-pronarëve në 32 vite të tranzicionit tonë të tmerrshëm?

Luftuam për të qenë të lirë, por u nënshtrohemi pa asnjë mëdyshje fjalëve dhe halleve të kryetarëve të partive, ose edhe ngecim në kurthin e të mosmenduarit. (Dhe, jo vetëm se aq e kemi kapacitetin!)

Por kjo pjesërisht shpjegohet se në viktimat, frika fillestare nga xhelati shndërrohet gradualisht në mirënjohje, që ky po ua “shpëton” jetën. Kjo e dhe “justifikon” habinë se si është e mundur që populli të votojë e të ndjekë pas njerëzit që i kanë bërë aq shumë dëme vendit duke i ngritur në piedestalin e “heroit”.

Sepse ndoshta vuajmë nga kompleksi i fajit dhe komplekse të tjera, të cilat i shpjegon Frojdi, por sidomos nga kompleksi i fajit, që nuk mundemi të ngremë krye dhe të tregojmë karakter dhe dinjitet që fundit t’i themi fund!

Sepse vuajmë nga kompleksi i të thënit “Faleminderit” edhe pse na kanë grabitur gjithçka e tallen me ne!

Sindroma e Stokholmit dëshmon për kalbëzimin e shoqërisë shqiptare, kalbëzim jo vetëm moral, por edhe njerëzor dhe, sidomos atë politik.

Dhe Sindroma e Stokholmit mund të emërtohet lehtësisht Sindroma Kryetariane.

Politika është perceptim, si edhe një aftësi e mundshme!

Varet nga ne nëse do të jemi në gjendje të bëjmë lëvizje në të cilat do të dalim fitimtarë. Sidoqoftë, si në futboll, ashtu edhe në politikë, pavarësisht sa luan me mjeshtëri, në fund një gabim mund të jetë fatal, sidomos kur Sindromën e Stokholmit e kemi kthyer në mënyrë jetese dhe veprimi.

Metodat e torturës psikologjike dhe fizike, të kolauduara prej shekujsh, kanë për synim pikërisht të thyejnë individë psikologjikisht normalë, të cilët përbëjnë shumicën. Duke arritur këtë xhelati shtrin pushtetin dhe kënaqet me dashurinë që ia servojnë viktimat.

Shqiptaret kanë nevojë të çlirohen nga kjo sindromë, për të parë të vërtetën ashtu siç është.