Pensionet mund të rishikohen. Një reformë e re po diskutohet këtë periudhë nga qeveria me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ndryshimi synon të përcaktojë një formulë, e cila do të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta.

Me skemën aktuale, indeksimi rrit me të njëjtën përqindje të gjitha pensionet në vend, cka do të thotë se në vlerë përfitimi, pensionet e ulëta rriten me një masë më të ulët se pensionet e larta.

Pjesë e propozimi, është edhe ndërhyrja në vendosjen e limiteve për përfitimet në skemat suplementare, pasi rritja e tyre me ritmet aktuale parashikohet të rëndojë më shumë skemën në afat të gjatë. P.sh. në të ardhmen dalja në pension e punonjësve të sistemit të drejtësie mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë skemës publike të pensioneve.

Aktualisht skema publike e pensioneve është nën presionin e rritjes së numrit të përfituesve për shkak se këtë dekadë del në pension brezi i bumit të lindjeve në vitet 1970, dhe nga ana tjetër numri i kontribuuesve do të maturohet prej rënies së grupmoshave të reja të popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë.

Lajmin për rishikimin e skemës e ka dhënë së fundmi, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2024.