Edhe pse Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit një javë më parë, inflacioni ka shënuar rënie për muajin tetor.

Duke zbritur në 3.8%, ky është niveli më i ulët i inflacionit që nga nisja luftës në Ukrainë. Gjatë gushtit dhe shtatorit çmimet pësuan një rritje të lehtë, ndikuar edhe nga sezoni turistik.
Grupi që vazhdon të udhëheqë rritjen e inflacionit mbi objektivin e Bankës janë ushqimet, ndërsa pas tyre, vjen grupi i mobilieve dhe pajisje shtëpiake, ndjekur nga qiratë dhe më pas grupi i hotele bar-restoranteve si dhe i argëtimit dhe kulturës. Dy grupet e fundit që nga qershori po vijën me rritje të fortë për shkak të kërkesës së lartë nga turistët.

Ndërkohë tek ushqimet, nëngrupet me rritjen më të fortë vazhdojnë të qëndrojnë perimet, ndjekur nga produktet bulmetit dhe vezët, më pas mishi, frutat dhe peshku.
Banka e Shqipërisë rriti sërish normën bazë të interesit në nëntor duke pohuar se presionet nga tregu i brendshëm si rritja e pagave dhe kostove të prodhimit po pengojnë kthimin e inflacionit në objektiv. Aktualisht norma bazë e lekut qëndron në 3.25%, por FMN ka sugjeruar rritjen deri në 4.5%, që do të thotë kredi më të shtrenjta për bizneset dhe individët.