Nga Mero Baze/
Kryetari I Bashkisë së Kuçovës është thirrur sot në SPAK ku I është komunikuar akuza penale lidhur me mos deklarimin në formularin e dekriminalizimit të një qortimi që ka marrë nga një gjykatë greke pse ka kaluar kufirin me Greqinë në mënyrë të paligjshme si 17 vjeçar I papunë. Nuk dua të hyj debatit për të drejtën e SPAK për të ngritur një akuzë për këtë rast. Edhe pse kalimi I paligjshëm I kufirit siç u shpreh KQZ nuk parashihet tek veprat që përbëjnë shkelje, interpretimi I SPAK se mos deklarimi në vetvete përbën vepër penale, ha debat sidomos për një të mitur. Pavarësisht kësaj SPAK duhet të bëj detyrën e tij dhe të çoj çështjen në gjykatë. Por ky standard nuk është respektuar në rastin e deputetit të Sali Berishës, Flamur Noka.
Gazeta TemA ka botuar faktin se Flamur Noka është arrestuar nga autoritetet jugosllave dhe është marrë në pyetje në Prizren në vitin 1991.Këtë e dëshmojnë dokumentet shqiptare të Ministrisë së Brendëshme të Degës së Punëve të Brendshme në Kukës, që kanë marrë në dorëzim shtetasin Flamur Noka të riatdhesuar nga autoritet jugosllave. Procesverbali pasqyron dhe marrjen në pyetje të Flamur Nokës nga UDB, Vet ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka, ka pranuar para autoriteteve policore shqiptare se ka marrë një ofertë zyrtare për të qenë agjent i UDB, duke qëndruar në ish- Jugosllavi në vitin 1991, dhe duke siguruar një punë të mirë atje.
Në deklaratat e tij zyrtare para policisë shqiptare në vitin 1991, ai ka pranuar se UDB i ka bërë ofertë të qëndrojë në ish- Jugosllavi, duke i siguruar punë të mirë, por ai ka kërkuar të kthehet në Shqipëri. Në deklaratën e tij, nuk thuhet se ai nuk ka pranuar të punojë për UDB në Shqipëri. Sipas deklaratave të tij para organeve zyrtare shqiptare, Flamur Noka thotë se ai i është përgjigjur interesimit të UDB për ngjarjet në Shqipëri, themelimin e Partisë Demokratike, kush janë njerëzit që drejtojnë Partinë Demokratike, kush i ka nxitur ngjarjet e “Shkollës së Bashkuar” dhe rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, si dhe për zhvillimet në fshatin e tij.
Ai thotë se është pyetur për zyrtarë që drejtonin sigurimin në fshatin e tij, për PD-në, dhe pas kësaj është deportuar në Shqipëri. Të gjitha këto janë deklarata të tij zyrtare para organeve të policisë së shtetit shqiptar, pasi ishte arrestuar dhe mbajtur për disa javë në burg nga polica sekrete e ish- Jugosllavisë. Flamur Noka nuk I ka pasqyruar këto në deklaratën e dekraminalizimit në momentin që është botuar. Tani nëse për kryebashkiakun e Kuçovës mund të ngrihet akuzë përse si I mitur nuk ka treguar se ka kaluar kufirin ilegalisht dhe është kap nga autoritet greke, atëherë ky kriter duhet të zbatohet dhe për Flamur Nokën I cili edhe më keq akoma është marrë në përpunim nga shërbimi sekret jugosllav dhe I është bërë ofert të punoj për ta. Nuk dimë e ka punuar për ta si zyrtar I lart i shtetit shqiptar por e vërteta është që drejtësia shqiptare nuk e ka prekur dhe kur I është bërë publik ky fakt.
Nuk mendoj se UDB ka akoma ndikim mbi drejtësinë shqiptare që ta mbroj, por nëse SPAK vendos këtë standard për kryebashkiakun e Kuçovës duhet ta vendos patjetër dhe për një njeri që UDB I ka bërë ofert punësimi dhe ai befas edhe pse ka aftësi të kufizuara për të qenë zyrtar shteti, ka mbritur të jetë deri Ministër I Brendshëm madje dhe krahu I djathtë I Sali Berishës. Nuk besoj se kjo përbën arsye për tu amnistuar.