Turneu ballkanik i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vazhdoi këtë të martë në Beograd ku i deklaroi presidentit serb se grumbullimi i forcave të ushtrisë së tij në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon aspak në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

Ai kërkoi nga palët të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve. Por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u përgjigj se ushtria serbe “kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj”. “Ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është puna jonë”, tha ai.
Në konferencën për shtyp shefi Nato-s kërkoi që autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë dhe se mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve tha ai duke u bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog me ndërmjetësimin e BE-së, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit sipas tij.

Stoltenberg shkoi në Beograd pas një vizitës në Prishtinë, ku deklaroi se aleanca po e shqyrton mundësinë për një shtim të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.