Zv kryeministrja Belinda Balluku në Facebook :
Raporti deri në orën 19:00 i MIE lidhur me situatën në vend.
Stuhia, e cila ka përfshirë vendin tonë prej disa orësh, ka shkaktuar problematika në disa rajone të vendit. Të gjitha strukturat në varësi të Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndodhen në terren për rikuperimin e dëmeve dhe kthimin në normalitet të situatës.
⚡️ENERGJIA
Aktualisht nuk janë në funksion 64 fidera, kryesisht në zona rurale. Të gjitha linjat 35kV janë në funksion të plotë, përveç aksit Rrogozhinë-Divjakë. Gjithashtu plotësisht në funksion është edhe rrjeti i cili furnizon me energji elektrike institucionet e rëndësisë së veçantë.
Rrjeti i OST, kryesisht linjat 110kV janë afektuar nga disa avari kalimtare, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike me kohëzgjatje deri në 10 min. Tashmë të gjitha nënstacionet janë funksion të plotë. Aktualisht në rrjetin e OST sh.a. të gjithë konsumatorët kanë furnizim me energji elektrike.
Të 3 Hec-et e Kaskadës së Drinit janë në proces pune normal dhe digat në kushte optimale.
🛣 AKSET RRUGORE
Në të gjitha akset nacionale nuk ka pasur bllokime në qarkullimin e automjeteve. Në autostradën Tiranë-Durrës dhe Plepa-Rrogozhinë, për shkak të intensitetit ka pasur vështirësi në lëvizje, por pa bllokuar trafikun e mjeteve.
💧FURNIZIMI ME UJË
Aktualisht ka ndërprerje të punës në Stacionin Konjat, cili furnizon me ujë qytetin e Lushnjës pasi është stakuar energjia elektrike. Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë. Në të gjithë vendin situata e furnizimit me ujë si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksionim të plotë.
⚓️ PORTET DHE ✈️AEROPORTET
Reshjet e dendura dhe era e fuqishme shkaktuan pezullimin e përkohshëm të operacioneve në portin e Durrësit. Gradualisht ka rifilluar veprimtaria në terminalet portuale.
Në portin e Vlorës është ndaluar ditën e sotme dhënia e lejes për lundrim e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit, si dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre në vendet e akostuara. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka pasur problematika të raportuara.
Në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk ka pasur problematika të raportuara.