Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, hodhi poshtë të mërkurën pohimet se marrëveshja që qeveria italiane nënshkroi me Tiranën këtë javë për të ngritur qendra në Shqipëri për menaxhimin e emigrantëve është e paligjshme.

“Marrëveshja e nënshkruar me shtetin shqiptar është në përputhje me të gjitha ligjet e BE-së. Është shumë e ndryshme nga marrëveshjet e tjera që janë arritur nga vendet e tjera. Ajo synon të sigurohet që personat që nuk kanë respektuar rregullat dhe nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës’, u tha Tajani gazetarëve në fund të një takimi të ministrave të jashtëm të G7 në Tokio.

Komisioni Evropian ka thënë se ka kërkuar më shumë informacion në lidhje me detajet e marrëveshjes. Të martën, kreu i Partisë Demokratike (PD) Elly Schlein tha se marrëveshja “duket në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe evropian”, raporton Ansa.

Seksioni italian i Amnesty International ka thënë se marrëveshja ishte “ilegale dhe e pavlefshme.

“Njerëzit që shpëtohen në det nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë strehim në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të transferohen në një shtet tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe situatat individuale”, tha Amnesty.