Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka komentuar arrestimet e fundit nga Policia e Shtetit në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Prrenjas dhe Vlorë, në kuadër të operacioneve ‘Tempulli” dhe “Sundimi i Ligjit”.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, këtë të dielë, Balla shprehet se këto dy operacione madhore dhe të shtrira gjatë në kohë, kanë si qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe goditjen e krimeve të llojeve të ndryshme.
“Goditja e kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike vijon çdo ditë, me qëllimin e mbrotjes së shëndetit të të rinive dhe çdo qytetari tjetër nga rreziku që sjell përdorimi i tyre. #PaketaeSigurisë në shkolla është e lidhur ngushtësisht me operacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, duke synuar pastrimin e perimetrit të sigurisë së shkollave nga shpërndarësit e drogës. Operacioni “Sundimi i ligjit” mbron komunitetet tona nga personat me rrezikshmëri të lartë, persona në kërkim nga drejtësia apo ata të cilët posedojnë armë pa leje.
Në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Prrenjas dhe Vlorë, u arrestuan, ndaluan/proceduan 19 shtetas. U sekuestruan sasi lënde narkotike dhe automjete që përdoreshin në veprimtari kriminale.
Vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për hetimin e thelluar proaktiv që çoi tek kokat e grupit kriminal të përfshirë në kultivimin mijëra bimëve narkotike në Shkodër”,- shkruan Balla.