Një ditë para ndeshjes me Shqipërinë në Kishinjev, trajneri i Moldavisë, Sergei Kleschenko doli në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera vlerësoi maksimalisht përballjen me kuqezinjtë dhe tha se skuadra është gati për të bërë maksimumin në fushë.
“Jemi duke u stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2-0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet nesër. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë nesër, sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë”, u shpreh Kleschenko. Trajneri i Moldavisë komentoi edhe mënyrën e lojës së skuadrës së tij, teksa nuk gurroi të falënderojë edhe tifozerinë për përkrahjen.
“Ne nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës për një ndeshje, ndaj sigurisht që do të provojmë të mbyllim hapësirat dhe të dalim shpejt. Gjithsesi dua të shoh të njëjtin shpirt gare si në ndeshjen ndaj Polonisë, kur përmbysëm gjithçka në pjesën e dytë. Do të kemi edhe përkrahjen e fansave tanë, që kanë treguar se janë gjithmonë aty dhe bëhen një lojtar i 12 për ne”, tha tekniku moldav. Sfida Moldavi-Shqipëri do të startojë nesër në orën 18:00 dhe do të transmetohet live në ekranin e SuperSport 2.