E motra e 51-vjeçarit Adnant Jaupi, trup i të cilit u gjet i dekompozuar në fshatin Xarrë, ka rrëfyer se nuk e kishin shpallur në kërkim viktimën pasi ai shpeshherë shkëpuste kontaktet me familjen.

Në një intervistë për emisionin “Me zemër të Hapur” në News24, ajo u shpreh se me vëllain kishte folur gati 1 muaj më parë dhe e dinin që punonte në zonën ku u gjet i vdekur.

Motra e Adnant Jaupit tha se me policinë kanë kontaktuar vetëm ditën djeshme (15 nëntor) kur i dhanë lajmin e rëndë. Ajo u shpreh se i vëllai i saj beqar punonte në një fermë ku kujdesej për ullinjte e portokallet, dhe jo si bari.

“Nuk kemi shpallur të humbur. Unë kam qenë kam folur me vëllain para pak kohësh, gati 1 muaj, nuk as kërkime, as nuk e kemi shpallur në kërkim. Ai nuk ishte bari, punonte në një fermë në Sarandë në Konsipol. Mbillte dhe kujdesej për ullinjtë, portokallet. Këtë punë mbante.

Ne e dinim që punonte, sepse ai këtë gjë e bënte edhe më përpara. Shkëpuste kontaktet për 1 muaj pastaj na telefononte.

Me policinë vetëm dje kemi kontaktuar, që na dha lajmin. Ai ishte beqar”, tha motra e viktimës.

Dyshohet se viktima ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra.

Fillimisht u gjet koka e 51-vjeçarit mbrëmjen e së martës (14 nëntor) dhe më pas trupi i dekompozuar i bariut një ditë më pas (15 nëntor) në një tunel.