Vihet nën kontroll zjarri në Metalurgjikun e Elbasanit. Pas rreth 24 orë betejë me flakët, vatra thuajse është shuar ndërsa nga vendgrumbullimi i skrapit ende del tym. Forcat zjarrfikëse po monitorojnë territorin ku u përhapën flakët, ndërsa situata nuk përbën rrezik.

“Pas rreth 24 orë luftë me flakët, situata është vendosur nën kontroll, sot në orët e para të mëngjesit. Megjithëse ende në fushën e depozitimit të skrapit këtu në uzinën e prodhimit të çeliqeve në Elbasan, vatra vijon të mbetet aktive. Gjatë natës së kaluar vatra ka qenë mjaft aktive dhe është dashur të angazhohen forca të shumta të zjarrfikësve, po ashtu edhe makineri të rënda të skrapit, që kanë larguar vazhdimisht skrapin nga vatra kryesore e zjarrit. Megjithatë sot në orët e para të mëngjesit duket se gjithçka është vendosur nën kontroll, pasi edhe pas shpinës time duket që aktualisht del tym i bardhë dhe nuk evidentohen më flakë siç ishin një natë më parë”, raporton gazetari Fatos Salliu nga vendi i ngjarjes.

Vatra e zjarrit u ndez paraditen e djeshme, ndërsa shkak është bërë ndezja e një baterie e hedhur si mbetje për skrap. Zjarri u vu nën kontroll në orët e pasdites ndërsa u riaktivizua në orët e darkës, si pasojë e ndezjes së një tjetër baterie. Nga zjarri nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme për kompaninë që menaxhon uzinën e në Elbasan. Flakët shkaktuan ndotje të madhe në zonë për shkak të përhapjes së tymit.