Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi ka zbardhur listën me 24 emrat e ftuar për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Europianit 2025. Kuqezinjtë e vegjël luajnë më 17 nëntor në 19:30 kundër Rumanisë në transfertë dhe po në udhëtim luajnë kundër Malit të Zi katër ditë më vonë.
Janë 24 emrat e ftuar nga Bushi për këto duele, teksa bien në sy lojtarët e Superligës. Emra si Dema, Preka, Buxhelaj, Smajli, Pecani apo edhe Nikaj e Rashica janë të ftuar për këto sfida të rëndësishme.
Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, teksa renditet në vendin e parë pas tre fitoreve ndaj Rumanisë U-21, Malit të Zi U-21 dhe Armenisë U-21. Kuqezinjtë kanë pësuar vetëm një disfatë ndaj Finlandës U-21.
Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi do të grumbullohet më datën 12 nëntor në Durrës dhe me datë 16 nëntor do të udhëtojë drejt Rumanisë, aty ku më datë 17 do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare.
Më pas ekipi do të kthehet në Shqipëri për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë do të qëndrojnë në Durrës deri më datë 19 nëntor dhe më pas do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, aty ku do të zhvillojnë ndeshjen e gjashtë kualifikuese ndaj Malit të Zi U-21.