Ministria e Mbrojtjes ka nisur fushatën e rekrutimeve të të rinjve për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Në Elbasan është hapur edhe zyra e rekrutimeve, ndërkohë që fushata informuese dhe sensibilizuese synohet të përçohet te çdo i ri. Një i ri që sot zgjedh të jetë pjesë e Forcave të Armatosura dhe synon një karrierë ushtarake tashmë ka të gjitha mundësitë teksa i garantohet pagë dinjitoze dhe përfitime të tjera si pjesë e ushtrisë.
“Synimi i këtij aktiviteti është për të promovuar Forcat e Armatosura, për të ekspozuar teknikën dhe pajisjet tona. Fushata e rekrutimit vazhdon deri ne 9 janar. Ka pasur interes nga djemtë dhe vajzat e reja. Një ushtar në FA gjen karrierën e sigurt, është i mirë paguar dhe shumë benefite të tjera pse një djalë apo një vajzë duhet të zgjedhë FA”, shpjegoi koloneli Fadil Ciroku.
Albian Dragoti është 18 vjeç dhe sot ka zgjedhur të jetë pjesë e FA duke zgjedhur një karrierë që i pëlqen, por edhe që e trashëgon.
“Jam 18 vjec, kam aplikuar per te qene pjese e Forcave të Armatosura sepse kam menduar për një karrierë dhe një jetë më të mirë. Mu duk më e përshtatshme për të qenë pjesë e ushtrisë sesa të zgjedh një universitet. Shqipëria nuk ka shumë ushtarë dhe duhet t’i shtojmë. Gjyshim im ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura, por nuk mendoj që kam zgjedhur për t’i ngjarë atij“, shpjegoi Albian Dragoti.
Një i ri që dëshiron të jetë pjesë e FA duhet të jetë shtetas shqiptar, 18 deri 27 vjeç, të ketë mbaruar të paktën arsimin 9-vjeçar duke ju mundësuar më pas arsimimi i mëtejshëm falas.