Në vigjilije të 111-vjetorit të Pavarësisë, kur Tirana ka mbledhur bashkë si asnjë vit më parë, shqiptarë nga anë e kënd botës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi në nder të tyre një pritje në Pallatin e Brigadave. Në fjalën e tij, Veliaj kujtoi se si me bashkëpunim shqiptarët kudo ndodhen i janë gjendur njëri-tjetrit në ditë të mira, por sidomos në dite të këqija, teksa theksoi se Tirana, sot një qytet modern, ka ndihmuar kudo në komunat shqiptare në lëmin e kulturës dhe lëvrimit të shqipes.

“Këshilli Bashkiak sapo aprovoi financimin e shkollës “Dituria” në Preshevë dhe shkollës “Naim Frashëri” në Bujanovc. Bashkia e Tiranës sapo aprovoi ndërtimin e parkut “Shqipëria” në komunën e Tuzit, si një kontribut i një Tirane, që nuk është më Tirana që shumë veta lanë pas në vitet ‘90, e që më shumë lypte se sa bënte, por që sot është një Tiranë që bën, është një Tiranë që më shumë jep se merr, sepse sot i kemi mundësitë e një qyteti modern që ka edhe zemrën për të bërë mirë dhe për të kontribuuar aty ku janë kryetarët tanë, aty ku flitet gjuha jonë dhe aty ku fëmijët tanë në ato shkolla, tani të reja dhe të bukura, do të mësojnë gjuhën tonë më të bukurën, shqipen,” nënvizoi mes të tjerash kryebashkiaku Veliaj.

Ai u shpreh krenar për mbrujtjen me fanatizëm të kultit të atdheut te çdo bashkëkombas shqiptar.

“Sot jam vërtet krenar që jemi mbledhur këtu nga çdo cep i nahijes tonë. Ajo që na bashkon sot nuk është as feja, nuk është as adresa, nuk janë as bindjet politike, nuk është as shtetësia. Shumica prej nesh kanë shtetësi të ndryshme, por është kulti i përbashkët i atdheut që secili e ka brenda vetes dhe e merr me vete kudo që shkon, ku mund të jetë një shqiptar i mirë, qoftë në jug të Italisë, qoftë në veri të Amerikës. Ndaj, ky kult i përbashkët i atdheut, qoftë ajo që na frymëzon çdo mëngjes teksa kryejmë punët tona, qoftë ideja për të progresuar vendin tonë që na mban gjallë e qoftë lidhja e përbashkët që kemi mes nesh sot e në jetë të jetëve,” tha mes të tjerash Veliaj.

Të pranishëm në pritjen zyrtare ishin përfaqësues të qeverisë shqiptare, asaj të Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, përfaqësues të Unionit të Bashkive të Shqipërisë, komunave arbëreshe, anëtarë të trupit diplomatik, personalitetet publike dhe artistë.