Nga Namir Lapardhaja
Sali Berisha mbahet për orator.
Kjo dihet, shihet, njihet, sidomos dëgjohet. As ai nuk e fsheh këtë. Përkundrazi, e shpall me sa fuqi ka, lodhet për ta përhapur sa më tepër, për ta bërë sa më të njohur. Mirëpo, sot s’ka shqiptar të mos gajaset me vulëhumburin e opozitës, tregtarin e shpirtrave që hiqet si shpëtimtar i opozitës. Le ta shohim pak më nga afër oratorinë e zjarrtë të tij, nëpërmjet një analize të thjeshtë tekstuale.
Proverbi thotë: “Më shkruaj një paragraf, të të them se cili je.” Pa e zgjedhur aspak, madje pa e lexuar fare, i nakatosa faqet e fejsbukut të Doktorit si letrat e kumarit. Thjesht rrëmbeva një paragraf nga logoreja oqeanike fejsbukiste e tij. Paragrafi qëlloi me 33 fjalë dhe 60 gërma. Shyqyr që qëlloi i shkurtër se kush rri e merret me marrëzitë e tij. Ja paragrafi që tani do ta ther si kasapi dashin për t’ua dhënë lexuesve llokmat e mishit t’i hanë e t’i vjellin.
“Dhëmbë për dhëmb me Ramën, i cili ka vendosur të mbyllë parlamentin. Deputetët e opozitës janë të vendosur të shkojnë gjer në qëndresën ekstreme, për të rifituar të drejtat e tyre kushtetuese.” Edi Rama, të shumtat e herës nuk është fare në sallën e Parlamentit kur ulëret e çirret Sali Berisha. Ku dhe kur qënkan zhvilluar këto beteja të ashpra dhëmbë për dhëmbë?
“Dhëmbë për dhëmbë” në këtë kontekst nuk është as figuracion as fakt. Është thurje e pakuptimtë që mund të dali vetëm nga ndonjë mendje donkishoteske. Është pohim që dëshmon se i kanë ikur në drejtim të paditur të gjitha bletët nga kosherja, e kanë lënë pa mjaltë dhe pa shpresë se mund të kthehen ndonjëherë. Vazhdon më tej: “Deputetët e opozitës janë të vendosur të shkojnë gjer në qëndresën ekstreme.”
Kuturisje ortografike për të vjellë. Si mund të shkojnë gjer në qëndresën ekstreme një grusht që ka ngecur e s’ka nga të shkojë, kur s’ka mbetur shqiptar pa e ditur se problemi madhor i opozitës së sotme, prej nga derivojnë të gjitha tmerret e tjera, është pikërisht mungesa e vendosmërisë?!
Dhe tjetra, si e di Sali Berisha çfarë kanë brenda kokës deputetët e opozitës, janë a s’janë të vendosur, do shkojnë a s’do shkojnë dhe deri ku do shkojnë?
Duke pretenduar se, jo me arsyetim dhe urtësi, por me logore dhe manipulim, ua kontrollon edhe brendinë e kokës, e pakta i ofendon ata, ua ndot moralin, ua prek sedrën, nëse u ka mbetur ndonjë thërrime natyrisht. Këtu po e mbyllim. Kush rri e merret me oratori shterpe.