Gjykata e Lartë zbardhi vendimin për Dhionisis Fredi Belerin, i cili prej shtatorit kërkon gjyqësisht të lërë paraburgimin dhe të betohet si kryetar bashkie para këshillit bashkiak të Himarës.

Teksa Gjykata e Lartë specifikon se nuk është kompetente gjykata e Durrësit por gjykata antikorrupsion në Tiranë për ta shqyrtuar kërkesën e të paraburgosurit, në vendimin që ju vendos në dispozicion TCH, përmendet më tej se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, ashtu siç Beleri e ka kërkuar në muajin shtator.

Lutja për tu betuar në një fazë të hetimit paraprak të çështjes për të Belerin nën arrest me burg, i takon prokurorit të SPAK si titullar i procedimit penal thekson Gjykata e Lartë sipas të cilës prokurori vlerëson impaktin e dhënies së lejes nëse ndikon apo jo në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit.

Thënë në terma të tjerë citon kolegji penal, “aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit Durrës për të vlerësuar kushtet e aplikimit të kësaj lejeje është pothuajse inegzistent”.

Gjykata shton se përsa kohë çështja gjendet në Gjykatën Antikorrupsion, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel. Pasi kolegji penal ka zgjidhur konfliktin se cila gjykatë duhet ta shqyrtojë kërkesën e Belerit për tu betuar, Top Channel u interesua pranë gjykatës së posaçme në Tiranë, nëse kishte caktuar apo jo një datë për ta shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të votuar të Himarës, i cili prej shtatë muajsh mbahet në qeli nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje.

Kjo gjykatë konfirmoi se nuk është caktuar ende seanca, ndërsa kërkesa e Belerit pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja antikoprrupsion, Fjorela Davidhi. Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar se si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 euro secila.

Ndërkohë pas votimeve vendore të 14 majit ku ai u shpall fitues, Beleri kërkon të lërë qelinë dhe të betohet. Kryebashkiaku i votuar i Himarës bazohet në precedentë të mëparshëm, në praktikën e ish deputetit Azgan Haklaj dhe Mark Frrokut, të cilët sipas të paraburgosurit Beleri, morën leje të posaçme për tu betuar.

Top Channel